Haaland “shkakton tërmet” në Norvegji, golat e tij regjistrohen nga stacionet sizmike
Paraqitja spektakolare e Erling Haaland në debutimin e tij në Kupën e Botës 2026 nuk tronditi vetëm mbrojtjen e Irakut, por edhe nëntokën e Norvegjisë. Sulmuesi i Norvegjisë realizoi dy gola në fitoren bindëse 4-1 ndaj Irakut, ndërsa festimet e tifozëve rezultuan aq të fuqishme sa u regjistruan nga stacionet sizmike në qytetin e Bergenit.
Sipas një njoftimi të publikuar nga Universiteti i Bergenit, sistemi i monitorimit sizmik evidentoi sinjale të qarta pikërisht në momentet kur Haaland dërgoi topin në rrjetë.
“Gjatë natës, stacioni sizmik i Bergenit regjistroi sinjale të dallueshme gjatë ndeshjes mes Norvegjisë dhe Irakut. Vibracionet më të forta përkuan me golat e Erling Haaland, të cilët shkaktuan reagime të fuqishme nga tifozët norvegjezë”, thuhet në komunikatën e universitetit.
Të dhënat e mbledhura tregojnë se pikat më të larta të aktivitetit sizmik përkojnë me momentet kryesore të ndeshjes, veçanërisht me dy golat e sulmuesit të Manchester City.
Ekspertët sqarojnë se nuk bëhet fjalë për një tërmet të mirëfilltë, por për vibracione të krijuara nga reagimi masiv i publikut.
“Sinjalet ka shumë të ngjarë të jenë shkaktuar nga britmat, kërcimet dhe festimet e tifozëve që po ndiqnin ndeshjen në Bergen. Kur mijëra persona reagojnë në të njëjtën kohë gjatë eventeve të mëdha sportive, lëvizjet e kombinuara mund të prodhojnë vibracione që kapen nga sizmometrat”, shpjeguan studiuesit.
Fenomeni nuk është i panjohur për shkencëtarët. Raste të ngjashme janë regjistruar edhe gjatë koncerteve masive apo ngjarjeve të tjera sportive. Një shembull i njohur ishte koncerti i Ed Sheeran në Oslo, ku dhjetëra mijëra spektatorë krijuan sinjale të matshme nëntokësore.

KOHA JONË SONDAZH

