Hamdi Salihi pranë largimit nga Izraeli, në “valle” Tirana dhe Partizani (Foto)
Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Hamdi Salihi, pritet të largohet zyrtarisht nga skuadra izraelite Hapoel Akre. Skuadra e tij ndodhet aktualisht në vend të fundit në kampionatin izraelit dhe në krizë financiare. Kësisoj Hapoel Akre është gati të zgjidhë me konsensus kontratën me sulmuesin kuqezi, që të largohet brenda merkatos së janarit. Kur duhet edhe një javë nga mbyllja e merkatos së dimrit, Salihi është duke shqyrtuar ofertat e klubeve të tjera. Mësohet nga burime pranë sulmuesit shkodran, se ai ka disa oferta na skuadra të tjera izraelite dhe mund të qëndrojë sërish në këtë kampionat, por nuk përjashtohet mundësia e ndonjë rikthimi në Austri, ku ai shkëlqeu disa vite më parë, apo edhe në Shqipëri, ku nisi karrierën dhe kërkohet nga ekipet që pretendojnë titullin kampion. Për sulmuesin 31-vjeçar interesohen në austri dy ish-skuadrave të tij, Ried dhe Rapid Viena. Por Tirana, skuadra me të cilën ai ka luajtur në Kategorinë Superiore, i mbetet ofertës së një viti më parë, duke e kërkuar Hamdi Salihin, për 150 mijë euro. Mirëpo Partizani, nga ana tjetër, pasi nuk fitoi shërbimet e sulmuesit të kombëtares lituaneze, Sarnas dhe as të sulmuesit nigerian të Laçit, James, është më i interesuar për të gjetur një sulmues cilësor. Të kuqtë kanë kthyer vëmendjen nga lojtari i sulmit kuqezi, të cilit pritet t’i bëjnë një ofertë të majme, që të fitojnë garën e merkatos me Tiranën dhe ekipet austriake, apo izrealite, që të blindojnë sulmin dhe të pretendojnë titullin kampion. Javë vendimtare për Hamdi Salihin. Pas eksperiencave në Shqipëri, Austri, SHBA e Kinë, së fundmi ai kaloi në Izrael. Destinacioni i radhës mësohet këtë javë. Ideale do të ishte një ofertë e mirë nga Shqipëria, për ta mbyllur karrierën në ligën ku u formua dhe nisi karrierën si profesionist.
KOHA JONË SONDAZH

