
Sulmuesi i Bayern Munich, Harry Kane, ka pranuar se barazimi 2-2 ndaj Arsenalit ishte një rezultat i drejtë, ndonëse skuadra bavareze kishte shpresuar të largohej me fitore. Anglezi foli gjithashtu për ambiciet në Ligën e Kampionëve dhe mundësinë e fitimit të Topit të Artë.
“Jam pak i zhgënjyer, por mendoj se barazimi ishte një rezultat i drejtë. Dukej sikur ne do të vazhdonim përpara dhe do ta fitonim ndeshjen, por më pas Arsenali ushtroi më shumë presion dhe shënoi golin e barazimit. Nuk duhet të jemi shumë të zhgënjyer. Do ta pranojmë këtë pikë dhe do të vazhdojmë përpara”, u shpreh Kane.
Një tjetër moment i rëndësishëm i ndeshjes ishte penalltia e shndërruar në gol nga Kane. Sulmuesi anglez theksoi se realizimi i 11-metërshave kërkon përgatitje të vazhdueshme dhe punë të madhe.
“Nuk do të thoja se nuk kishte asnjë dyshim, sepse penalltitë kërkojnë shumë stërvitje dhe punë. Është bukur kur arrin të shënosh”, deklaroi ai.
Në fund, sulmuesi anglez u pyet edhe për mundësinë e fitimit të Topit të Artë, një prej çmimeve më prestigjioze individuale në futbollin botëror.
“Është një nder i madh. Nuk më pëlqen të flas për veten, por e di se fitimi i tij do të ishte një arritje gjigante. Mund të ishte një moment i jashtëzakonshëm dhe mezi e pres këtë mundësi, por kemi ende një ndeshje tjetër përpara”, përfundoi ai.
