Henry kritikon Cristiano Ronaldon: Duhet të shënojë skuadra, jo vetëm ti!
Portugalia ka përfunduar në qendër të kritikave pas barazimit zhgënjyes ndaj Republikës Demokratike të Kongos në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës 2026. Ekipi i drejtuar nga Roberto Martinez nuk arriti të bindë me lojën e shfaqur, ndërsa në shënjestër të mediave dhe opinionit sportiv ka përfunduar veçanërisht Cristiano Ronaldo.
Ylli portugez nuk arriti të lërë gjurmë në takim dhe, sipas analistëve, në disa momente u shfaq tepër i përqendruar te objektivi personal. Ronaldo synon të bëhet futbollisti i vetëm në histori që shënon në gjashtë edicione të ndryshme të Kupës së Botës. Aktualisht ai ndan rekordin me Lionel Messin, me gola të realizuar në pesë Botërorë.
Një nga episodet më të diskutuara të ndeshjes ishte një aksion ku Ronaldo ndërhyri në një situatë që mund t’i kishte dhënë një rast ideal shënimi mesfushorit Bruno Fernandes. Pikërisht për këtë moment ka reaguar ashpër ish-sulmuesi francez Thierry Henry.
“Është skuadra që duhet të shënojë, jo ti”, deklaroi Henry gjatë analizës së ndeshjes.
Sipas legjendës franceze, Ronaldo nuk mori vendimin e duhur në atë aksion.
“Cristiano është gjendur në atë situatë mijëra herë gjatë karrierës. Nëse do të bënte një lëvizje drejt portës, do ta detyronte mbrojtësin të mbyllte zonën e vogël. Por duke qenë se donte të shënonte vetë, ai u vendos në trajektoren e pasimit të kthyer për Bruno Fernandes”, u shpreh Henry.
Ai shtoi se reagimi i Fernandes pas aksionit tregoi qartë pakënaqësinë e tij.
“Reagimi i shokut të skuadrës flet shumë. Ishte sikur po i thoshte: ‘Lëre topin të kalojë, bëj një vrapim dhe krijo hapësirë që unë të shënoj’. Por kjo nuk ndodhi”, theksoi ish-sulmuesi francez.
KOHA JONË SONDAZH

