“Here We Go”, Interi arrin akordin me yllin e Liverpoolit
Pritja e gjatë duket se po shkon drejt fundit. Curtis Jones është shumë pranë transferimit te Interi, me klubin zikaltër që ka hedhur hapin vendimtar për të mbyllur marrëveshjen me Liverpoolin.
Mesfushori anglez, i lindur në vitin 2001, është një kërkesë e drejtpërdrejtë e trajnerit Cristian Chivu, i cili e konsideron Jones një lojtar të rëndësishëm për të shtuar cilësi, fleksibilitet dhe alternativat në mesfushë.
Sipas raportimeve, negociatat janë zhbllokuar në orët e fundit pas një oferte të përmirësuar nga Interi. Klubi italian ka arritur një marrëveshje verbale me Liverpoolin për 35 milionë euro.
“Reds” nuk kanë bërë ulje në kërkesën e tyre, pavarësisht faktit se kontrata e Jones me klubin anglez skadon në vitin 2027. Interi, megjithatë, ka vendosur të bëjë përpjekjen përfundimtare për të siguruar shërbimet e mesfushorit.
Nga ana e lojtarit nuk ka probleme. Sipas raportimeve, Jones ka gjetur tashmë marrëveshjen me Interin për kushtet personale, ndërsa kontrata e tij me klubin italian është praktikisht gati.
Tashmë priten vetëm procedurat burokratike dhe formalizimi i marrëveshjes mes dy klubeve. Nëse gjithçka shkon sipas planit, mesfushori anglez do të udhëtojë drejt Milanos për t’iu nënshtruar procedurave të fundit dhe për të firmosur kontratën e tij të re me Interin.
KOHA JONË SONDAZH

