Hernanes: Interin, shpejt do ta ringrejmë në majat e futbollit
Interi dhe Milan mund të jenë në krizë këtë sezon, por ashtu si kuqezinjtë, edhe zikaltërit premtojnë se sezonin tjetër do të ringrihen në një prej skuadrave më të mira në botë. Një premtim që vjen për të gjithë tifozët zikaltër nga një lojtar, që nuk ka arritur ende të fitojë zemrat e tyre. Braziliani Anderson Hernanes u transferua me shumë bujë nga Lazio, por hapësirat për të në skuadrën e Mançinit janë të vogla. Gjithsesi, ai nuk dorëzohet, madje shkon shumë larg duke e parë me optimizëm të ardhmen. – “Gjatë kohëve të fundit kemi punuar shumë mirë. Kemi bërë stërvitje intensive. Po përfitojmë nga kjo periudhë për t’u përmirësuar sa më shumë. Gjërat nuk po shkojnë në drejtimin e duhur por ky nuk është momenti për t'u ankuar. E ftoj publikun të na qëndrojë pranë sepse kemi nisur një rrugë të gjatë për t’u ngjitur në majën e botës.” – shprehet Herannes. Mesfushori ndalet te puna që po bën Roberto Mançini, duke veçuar fjalë pozitive edhe pse në skemat e tij, braziliani nuk është titullar. – “Trajneri ka punuar shumë teknikisht. Ai kërkon që të gabojmë sa më pak pasime dhe të ruajmë pozicionin e duhur në fushë. Mançini punon shumë si në aspektin mbrojtës ashtu edhe në atë sulmues. Jemi të qetë dhe po presim me padurim rikthimin në fushën e lojës. Po përgatitemi për ta ringritur Inter në majë. Ky është objektivi jonë për këtë fanellë.” – theksoi Hernanes.
KOHA JONË SONDAZH

