Herolind Shala: Sparta e Pragës, shanse për një vend titullari edhe në kombëtare
Futbollisti Herolind Shala është futbollisti i katërt i kombëtares shqiptare që ka ndryshuar skuadër në merkaton dimërore. Transferimi i tij nga Odd në Norvegji te Sparta e Pragës në Ceki, skuadër me të cilën ka firmosur për 3 vjet e gjysmë, konsiderohet një hap cilësor në karrierë për të, që e sheh si trampolinë për të spikatur në futbollin e madh europian. – "Sparta e Pragës është një klub me traditë në Europë dhe që luan në kompeticionet ndërkombëtare. Mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur sepse do të më jepet mundësia të luaj në Champions League,” – thekson 22 vjeçari kosovar. – “Unë jam një lojtar i rolit “numër 10”, një mesfushor me tipare sulmuese dhe besoj se do të bëj diferencën në këtë kampionat. Sigurisht që Sparta do të më ndihmojë për të pasur një rol më të rëndësishëm edhe në kombëtare.” Herolind Shala është aktivizuar në dy ndeshje me fanellën kuqezin në dy miqësoret e luksit me Francën dhe Italinë që u zhvilluan në muajin nëntor.
KOHA JONË SONDAZH

