Hipoteza e re, derbi mes Juventusit dhe Interit mund të luhet me tifozë
Derbi i Italisë, Juventus-Inter, mund të luhet me tifozë. Sipas medieve italiane, po studiohet mundësia për ta zhvendosur të hënë këtë takim, pasi dekreti i qeverisë për Coronavirusin skadon të dielën, më 1 mars.
Sfida mes Juventusit dhe Interit, për rëndësinë që paraqet, është më e diskutuara në këto ditë. Sipas “La Stampas”, ka dalë në horizont pikërisht hipoteza për të shtyrë të hënën në mbrëmje. Teknikisht, masat parandaluese në Piemonte skadojnë më 29 shkurt, ndërsa ato të qeverisë një ditë më vonë.
Pra, në gjendjen aktuale, nuk ekziston asnjë normë që i ndalon ndeshjet të luhen me tifozë të hënën. Gjithsesi, ditët në vazhdim është e mundur që autoritet të miratojnë rregullat e reja. Ministri i Sporteve në Itali, Vincenzo Spadafora, deklaroi se pezullimi i eventeve sportive mund të mos zgjatet pas 2 marsit.