Historia e europianëve të futbollit/ Francezët, organizatorë dhe fitues të Euro ‘84
(Vijon nga numrat e kaluar)
Nga Skifter Këlliçi
Franca, që kishte fituar 6-3 kundër Gjermanisë Perëndimore në Botërorin suedez më 1958 dhe kishte zënë kështu vendin e tretë, nuk kishte mundur të ngjitej më lart se kaq edhe në Euro ‘60-tën, që ishte zhvilluar në stadiumet e saj dhe ku kampionë ishin bërë sovjetikët. Por nuk ndodhi kështu në Euro ‘84-ën, ndeshjet e të cilit u zhvilluan në stadiumet “Park dë Prens” të Parisit, me nxënësi 48. 400 shikues, të Lensit me 43. 500, të Nantës me 52. 923, të Lionit me 41. 180, të Sent Etjenit me 36. 000, Strasburgut me 40.000 dhe Marsejës me 33.000 shikues.
Pas Spanjës, fituese në finalen e Madridit kundër B. Sovjetik, ishte e dyta skuadër e vendit organizues e një evropiani që bëhej kampione. Por e një niveli më të lartë se skuadra iberike 1964-ës.
E prirë nga Platinia legjendar, skuadra“trengjyrëshe”, siç e mbiquajnë Francën, dëshmisë ishte absolutisht më e mira e Europës, aq më tepër, kur dy vjet më pas u rendit edhe treta në Botërorin ‘86 në Meksikë. Pas saj skuadër shumë mbresëlënëse u cilësua Danimarka.
Po të kthehemi te ndeshjet në grupe, ku morën pjesë 33 vende, duke përfshirë më së fundi edhe vendin tonë, munguesi më i madh në Euro ‘80 dhe ‘84, i cili nga politika e mbrapshtë e Enver diktatorit, po izolohej gjithnjë e më shumë nga bota edhe në fushën e sportit.
Në grupin e parë Belgjika, finaliste e Euro ‘80-ës zhvilluar në stadiumet e saj, me 9 pikë nuk hasi ndonjë rezistencë nga skuadrat e Zvicrës, Skocisë dhe RD Gjermane.
Futbolli sovjetik, klient i rregullt dhe i “piacës së lartë” në këtë veprimtari, dëshmoi se nuk e kishte marrë veten ende pas “nokdaunit” të pësuar në Euro ‘84. Në grupin e dytë ai mbeti një pikë pas Portugalisë fituese me 10 dhe 1 pas Poloninë me 4 dhe Islandës me 1 pikë.
Ashtu si Holanda që kishte dalë në skenë në fillim të viteve 70, së pari me “Ajaksin’”, tri herë kampion i Kupës së Evropës, (1971, 72, 73), dhe pastaj me përfaqësuesen e vet, ashtu edhe Danimaka zuri vendin e parë në grupin e tretë me 13 pikë, duke lënë pas Anglinë me 12, Greqinë me 8, Hungarinë me 7 dhe Luksemburgun pa asnjë pikë dhe do të niste kështu një erë që do ta shndërronte nga personazhet kryesore të skenës së futbollit botëror. Pasi barazuan me Anglinë 2-2 në Kopenhagen, danezët korrën një fitore historike në “Uembli” (1-0).
Jugosllavia, edhe ajo veterane e nderuar e europianëve të futbollit, fitoi grupin e katërt me 8 pikë, e ndjekur nga Uellsi 7, Bullgaria me 5 dhe Norvegjia me 4 pikë.
Të papriturën më të madhe të ndeshjeve në grupe e solli Italia, e cila “kundërmonte” ende me erëmirin e këndshëm të “mbretëreshës së botës” Spanjë ‘82, ku kishte mënjanuar Argjentinën (2-1), Brazilin, (3-2), në grup, pastaj Poloninë në çerekfinale 2-0 dhe RF Gjermane 3-1 në finale. Kurse në grupin e pestë të Euro ‘84-ës me 5 pikë ajo la pas vetëm Qipron, e kapërcyer nga Rumania, e para, me 12 pikë, Suedia e dyta, me 11, Çekosllovakia e treta, me 10 pikë.
Rezultatet e të kaltërve qenë të mjera:me rumunët 0-0 dhe 1-2, me cekët 2-2 dhe 0-2, me suedezët me keq:0-3 dhe 1-2. E të mendosh së në radhët e saj luanin ende kampionë të tillë si: Xofi, Bergomi, Kabrini, Shirea, Tardeli, Rosi …
Për mendimin tim trajneri Enci Bearxot pas ngadhënjimit në këtë botëror do të kishte bërë mirë të largohej nga përfaqësuesja dhe të mbetej gjithnjë i respektuar. Por ai nuk e bëri këtë as në Botërorin Meksikë ‘86, ku anija italiane u fundos përsëri.
Po të kthehemi përsëri te përshkrimi i ndeshjeve në grupe.
Në grupin e gjashtë përfaqësuesja jonë u ndodh përballë Turqisë, Austrisë Irlandës së veriut dhe …RF Gjermane, që zuri vendi e parë me 11 pikë. Tanët grumbulluan vetëm 2 pikë, (0-0 me Irlandën e Veriut, të cilën me këtë barazim nuk e mënjanuam, siç ndodhi më vitin 1965, kur kjo mbeti jashtë finaleve të Botërorit Angli ‘66 dhe 1-1 me Turqinë). Por ama, edhe pse humbëm dy herë me gjermanët dhe dy herë 1-2, i shtrënguam ata të kalonin çaste skëterrore, sidomos në ndeshjen e kthimit në Zaarbryken, më 20 nëntor të vitit1983, kur pas golit të Tomorit në 22’, barazuan me anë të Rumeniges në 24’ dhe vetëm 11 minuta para mbarimit sulmuesi i tyre Strah arriti me stërmundim të shënonte golin e fitores. Ky gol shpuri në vendin e parë me pikë të barabarta me veri-irlandezët, por me golaverazh më të mirë se ata. Me barazim, Rumenige me shokë do të mënjanoheshin si më vitin 1967, kur vendin e tyre e zuri Jugosllavia.
Në grupin e shtatë, ku bënin pjesë edhe Irlanda, Islanda dhe Malta, shpërtheu një “kacagjelosje” e ashpër midis spanjollëve dhe holandezëve që, ashtu si në grupin e mësipërm, i përfunduan ndeshjet me pikë të barabarta (nga 13 secila). Por u “cilësua” Spanja, pasi mundi Maltën… 12-1, rezultat që ngjalli dyshime se mos në këtë mes mos kishte ndonjë pazarllëk.
Shtatë skuadrat fituese në grupe së bashku me Francën, si vend organizues, nisën kështu fazën e dytë të Euro ‘84 –ës.
Në grupin e parë bënin pjesë Franca, Belgjika, Danimarka dhe Jugosllavia. Francezët i vunë përpara skuadrat e tjera: Danimarkën 1-0, Belgjikën 5-0, nga të cilët Platinia dy gola) dhe Jugosllavinë 3-2, ku Platinia shënoi këtë radhë të tre golat brenda18 minutash, (59’62’ dhe 77’). Bëri bujë fitorja e danezëve 5-0 ndaj jugosllavëve që i humbën tërë takimet. Pas Francës me 6 pikë vendin e dytë e zunë danezët.
Në grupin e dytë bënin pjesë Spanja, Portugalia. RF Gjermane dhe Rumania. Tjetër e papritur: Gjermano-Perëndimorët, kampionët në fuqi, këtë radhë zbritën nga froni. U kushtoi shumë humbja me spanjollët në takimin e fundit me rezultatin 1-0, pas golit të shënuar nga Maseda. Dy takimet e tjera këta të fundit i kishin përfunduar me barazim: me Rumaninë dhe Portugalinë dhe me të njëjtin rezultat 1-1. 4 pikë grumbulluan edhe portugezët, por nuk kishin golaverazhin e fqinjëve të tyre spanjollë.
Kjo solli që në gjysmëfinale “pasardhësit e Servantesit”, autorit të famshëm të “Don Kishotit”, të përplaseshin me Francën e Platinisë. Koha e rregullt u mbyll në barazim 1-1. Së pari shënoi Domergei për francezët në 24’ dhe pastaj barazoi Xhorda në 74’ për portugezët. Ishte po ai që e kaloi skuadrën e tij përpara 2-1 në 98’, por ishte përsëri edhe Domergei në 114’ që barazoi 2-2.
Po e komentoja këtë ndeshje nga një studio e TVSH-së me kufje në veshë dhe gjykoja që tani do të vinte radha e lotarisë së 11-metërshave. Por këtë hamendësim timin e hodhi poshtë Platinia që në 119’ shënoi golin e fitores, 3-2, që e shpuri Francën në finale.
Takimi tjetër gjysmëfinal vuri përballë Spanjën, “dhelpër e regjur” dhe Danimarkën si “vajzë e pa të keq”. Por shpejt të dyja u shndërruan në gladiatorë të pamëshirshëm ndaj njëri-tjetrit. Golit të Masedës në 67’ për spanjollët, iu kundërpërgjigj danezi Lërn në 71’.
Erdhi shtesa 2×15 minuta dhe rezultati nuk ndryshoi, ndonëse danezët dukeshin se po preknin fitoren… Pastaj gjithçka e zgjidhi seria e penalltive. Kur rezultati ishte 4-4, golin e pestë për Spanjën shënoi Sarabia, kurse i famshmi Elkjer, që tmerronte çdo portier kur gjuante në portë, nuk arriti t’i përmbante nervat dhe goditja e tij si pasojë nuk ishte e saktë.
Sidoqoftë, Danimarka ishte “e nuritura plot hir” e këtij europiani. Dhe e tillë do të mbetej edhe në Botërorin ‘86.
Kështu Spanja iu bashkëngjit Francës në finale. Finalja u luajt në stadiumin “Park dë Prens” të Parisit më 27 qershor të vitit 1984 nën drejtimin e gjyqtarit çekosllovak Hristov. Të rrethuar nga tifozët e tyre të flaktë, Platinia me shokë nuk duhej kurrsesi ta humbnin këtë rast që për herë të parë në historinë e europianëve dhe botërorëve të futbollit do t’i bënte ata kampionë, të paktën të “kontinentit plak”.
Më kujtohet mirë kjo ndeshje finale, për një arsye të thjeshtë: Gazetari sportiv, V. G., të cilin po e mbiquaj jo pa shpoti “kryekomentatori”, që zakonisht “komentonte” tërë veprimtaritë sportive në TVSH, duke përfshirë edhe ato të marra nga RAI dhe televizionet jugosllave, pavarësisht se dinte vetëm ca fraza në italishte, u ndodh atë ditë në Vlorë për një reportazh. Si pasojë, komentin e kësaj ndeshjeje do ta bëja unë.
Për t’u përgatitur sa më mirë, shkova si zakonisht në ATSH, ku u njoha me lajmet e fundit nga agjencitë TASS, ANSA dhe FRANCE PRESS, pra në italisht, rusisht dhe frëngjisht, kjo e fundit gjuhë që e njihja sa për të lexuar dhe kuptuar deri diku materiale sportive dhe politike. Një gazetar i apasionuar më përktheu lajme sportive edhe nga ROITERI, pra nga anglishtja, gjuhë që atëherë nuk e njihja fare.
Pra, u përgatita për një koment profesional. Por, çuditërisht, në çastin kur do të futesha në studio, u shfaq“kryekomentatori” i cili sapo ishte kthyer nga Vlora. Pa pasur asnjë farë përgatitjeje për të komentuar këtë ndeshje, pra “me duar në xhepa”, pati guximin të ulej para mikrofonit dhe kamerës dhe s’do mend zuri të bënte një të ashtuquajturin “ligjërim”, me fjalë të tjera, të shqiptonte vetëm ato 14-15 fjalë të thata që dinte dhe jo më shumë…Si gjithnjë.
Përsa i përket finales së mësipërme, ajo u fitua nga Franca, një fitore spektakolare që u shoqërua nga britmat e hareshme të rreth 50 mijë francezëve në “Park dë Prens” pas golave të Platinisë në 57’ dhe Belonesë pikërisht në akordet e fundit të këtij “marshi triumfal”, por jo të Verdit, huazuar nga opera e tij e famshme “Aida”, por “të kompozuar” në fushë nga ky ekip i magjishëm, që pati këtë përbërje:
Bats, Batiston, Bosis, Lë Ru, Domerge, Tigana, Fernadez, Platini, Xhires, Lakomb, Belone.
Trajner Idalgo.
Golashënuesi më i mirë Platini me 9 gola, i cili padyshim ishte dhe futbollisti më i mirë Euro ‘84-ës , siç ishte edhe ky kampionat më i bukuri dhe më emocionuesi që ishte zhvilluar deri atëherë.
Skuadra simbolike Euro ‘84:
Shumaker, (RF Gjermane), Pinto, (Spanjë), Foster, (RF Gjermane), Olsen, (Danimarkë), Brehme, (RF Gjermane), Calana, (Spanje), Zhires, (Francë), Tigana, (France), Platini, ( Francë)Arnesen , (Angli), Fëler, (RF Gjermane).
(Vijon në numrat e ardhshëm)
KOHA JONË SONDAZH

