Historia e europianëve të futbollit/1964,  spanjollët fitojnë në shtëpinë e tyre

 Nga Skifter Këlliçi/(vijon nga numrat e kaluar)

Nëse në Europianin e Parë të vitit 1960, ftesës së UEFA-s për të marrë pjesë në këtë veprimtari,  të zhvilluar në Francë,  iu përgjigjën 17 skuadra,  në Euro 1964,  që u vendos të luhej në Spanjë numri i tyre u rrit në 30, dukë përfshirë edhe përfaqësuesen e vendit tonë.  Pas Ballkaniadës së vitit 1946,  ku Shqipëria ishte shpallur kampione duke lënë pas Jugosllavinë,  Rumaninë dhe Bullgarinë,  dhe më 1948 kishte qenë edhe në krye të Kampionatin e Futbollit të Europës Qendrore,  të ndërprerë për arsye politike, ishte hera e tretë që ajo merrte pjesë në një veprimtari ndërkombëtare mbarë europiane.

Ndonëse ky numër nuk ishte i vogël, organizatorët edhe këtë radhë e panë të udhës që ndeshjet të zhvilloheshin përsëri me sistem mënjanimi të drejtpërdrejtë,  me ndeshje vajtje-ardhje. U krijuan kështu15 çifte.

Swiss Digital Desktop Reklama

Një ndër ‘to ishte dhe çifti Shqipëri-Greqi.  Teket e habitshme të shortit,  sepse deri atëherë dhe madje deri më 1971,  kur përfaqësuesja e të rinjve tanë mori pjesë në Kampionatin e Futbollit midis vendeve të Ballkanit,  vendi ynë nuk kishte pasur asnjë lloj marrëdhëniesh me Greqinë të mbi quajtur monarko-fashiste, thua se midis tyre ishte ngritur një mur më i lartë se muri kinez.

Swiss Digital Mobile Reklama

Sigurisht në këtë mes kishin ndikuar shumë rrethana, si pretendimet absurde të qarqeve shoviniste greke, sipas të cilave krahinat e Korçës dhe Gjirokastrës, pra të ashtuquajturit Vorio- Epir, i takonin Greqisë,  provokacionet e tyre ushtarake në kufijtë jugorë më 1949,  sistemet e kundërta ekonomiko-politike dhe,  mbi të gjitha, i ashtuquajturi… “Ligji i Luftës” midis vendeve tona,  vendosur që më 1940 gjatë Luftës Italo-Greke, kur Italia fashiste sulmoi Greqinë nga kufijtë jugorë të vendit tonë, ligj të cilin Parlamenti grek nuk e kishte hequr dhe madje do ta mbante gjatë…

Puna arriti deri aty sa,  as në shtypin tonë nuk u njoftua se sipas shortit përfaqësuesja jonë do të ndeshej me përfaqësuesen greke dhe as që ajo, “pa shtënë asnjë dyfek”, për tërheqje të skuadrës kundërshtare,  u kualifikua në fazën e dytë, bash për shkak të këtij ligji absurd që pengonte zhvillimin normal të marrëdhënieve midis dy vendeve tona.

  Kështu Shqipëria u ndodh në fazën e dytë të Euro 64-ës. Në këtë fazë kaluan gjithashtu pa telashe edhe skuadrat e Spanjës, Irlandës së Veriut, Hungarisë,  Gjermanisë perëndimore, Portugalisë,  Italisë, Suedisë,  Jugosllavisë, Danimarkës Anglisë dhe Francës.

E vetmja e papritur në këtë fazë mund të quhet mënjanimi i Anglisë nga Franca, ku pas takimit të parë të zhvilluar në Londër (1-1),  në takimin e kthimit në Paris, anglezët u shpartalluan 5-2 nga vendasit. Por, sidoqoftë,  për përfaqësuesen e “Përtej La Manshit”,  siç quhet jo rrallë Anglia  nga europianët, ky rezultat ishte më i pranueshëm se ç’i kishte ndodhur asaj në Botërorin1950 në Brazil,  kur ishte mundur nga diletantët e SHBA-ve 1-0 dhe kur ky rezultat fillimisht ishte quajtur nga agjencitë telegrafike të mbarë rruzullit tokësor  si “shaka e 1 prillit”,  ndonëse ky botëror zhvillohej mu mes të verës përvëluese braziliane.

Çerekfinalja  Itali-Bashkimi Sovjetik u cilësua nga më interesantët. Dhe kjo sepse skuadra sovjetike ishte finalistja e Euro ‘60-ës dhe vihej përballë Italisë,  dy herë kampione botërore e viteve 1934 dhe 1938.

Nëse në komentet e RAI-t, (Radiotelevizioni Italian), programet e të cilit ne shqiptarët, sapo kishim nisur t’i shihnim me antena të gjithfarsojshme në ekranin e vogël, kjo humbje u quajt disi e rastësishme, barazimi 1-1 në Milano dëshmoi se futbolli italian në rang përfaqësueseje,  ndryshe nga niveli i klubeve që po mbusheshin me “këmbë të arta, por“të huaja”,  ishte ende larg nivelit për të pretenduar se ishte skuadër e kalibrit të lartë. Kishte dështuar në Botërorin ’62 në Kili dhe do të dështonte edhe më 1966 në Botërorin anglez më 1966,  madje e turpëruar nga Koreja e Veriut.

I kam parë të dy ndeshjet në TV, kam lexuar edhe komentet që botonte shtypi sovjetik, që edhe pse marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik ishin ndërprerë që më 1961, vinte në Shqipëri. Mund të them se në takimin e dytë në Milano,  që u mbyll në barazim 1-1, italianët edhe mund të fitonin thellë, por qoftë Rivera, qoftë Macola,  dy futbollistët legjendarë të skuadrës axurra, u hipnotizuan para pritjeve të portierit të mahnitshëm sovjetik, Jashin, që do të shkëlqente deri më 1970 në stadiumet e botës . Ishte ai që priti një 11-metërsh të gjuajtur sado me dhelpëri nga Rivera, ashtu siç mundtë pritej vetëm nga ai që edhe sot cilësohet nga portierët më të mirë të rruzullit tokësor.

Mendohej që edhe përfaqësuesja jonë të mund të kalonte në fazën tjetër të Euro ‘64-ës. Dhe kjo sepse në takimin e parë të zhvilluar në Tiranë me Danimarkën, një skuadër modeste,  e fitoi 1-0. (Vetëm pas vitit 1986 danezët do të dëshmonin një nivel shumë të lartë).

Atë takim e kam komentuar në Radio Tirana së bashku me të madhin Anton Mazrekun dhe të dy u entuziazmuam pa masë kur qenë minutat e para Panoja shënoi një“gol antologjie” dhe se u krijuan edhe raste të tjera që nuk u shfrytëzuan nga tanët. Ndeshja e kthimit në Kopenhagë u mbyll 4-0 për danezët,  të cilët kaluan në çerekfinale. Dhe të mendosh se atje u ndodhën përballë…skuadrës luksemburgase,  diku më modeste se ajo vetë, që ishte kualifikuar pas tërheqjes së Holandës . Kështu pas barazimit në Luksemburg 2-2, danezët fituan në shtëpinë 2-1 e tyre, dhe u ndodhën në fazën përmbyllëse, fat pra të cilin mund ta kishte pasur edhe ekipi ynë.

Ndeshjet e tjera të çerekfinaleve dhanë këto rezultate:

Spanjë-Irlanda e Veriut 1-1, 1-0;

Austri-Irlandë 0-0, 2-3;

Gjermani-Perëndimore –Hungari 1-2 3-3;

Bullgari-Francë 1-0 1-3;

Jugosllavi-Suedi 0-0, 2-3.

Në takimet tjera çerekfinale Spanja pa vështirësi mënjanoi Irlandën 5-1 dhe 2-0. Bashkimi Sovjetik, duke barazuar me Suedinë e fortë 1-1 në Stokholm dhe duke fituar 3-1 në Moskë,  dëshmoi edhe një herë se jo më kot ishte kampion i Evropës. Franca e pati pisk me hungarezët.  Pasi humbi takimin e parë në Budapest, 1-2 dhe e pasoi edhe në Paris,  madje 3-1.

Erdhi kështu faza përmbyllëse e Euro ‘64 u zhvillua në stadiumin “Bernabeu” të Madridit, (110. 000 shikues) dhe “Camp Nou” të Barcelonës. (93. 000 shikues).

… Të zotët e shtëpisë,  spanjollët,  pritën në fushën e tyre hungarezët,  të cilët,  vërtet nuk ishin trashëgimtarët e Pushkashit,  Ciborit, Koshicit me shokë, që për mend e kokës,  duke udhëhequr në finalen e Botërorin ‘54 2-0 ndaj gjermano-perëndimorëve,  e kishin “humbur davanë” 3-2 e bashkë me të edhe Kupën e Botës. Megjithatë,  përballuan valangat spanjolle,  të cilat,  gjithsesi nuk ishin“falangat fashiste” të Frankos,  që kishin mbytur më gjak kryengritjet e internacionalistëve antifashistë  në mesit të viteve ‘30-të.

Koha e rregullt e takimit u mbyll në paqe 1-1,  me gola të Peredës më 35’ dhe Benes gjashtë minuta para mbarimit të ndeshjes. U desh koha shtesë. Rreth 80 mijë shikuesit në stadiumin “Bernabeu”,  bukurinë e të cilit, pas rekonstruksionit,  sportdashësit tanë e kanë në kanalet televizive, veçanërisht gjatë takimeve “Real”-“Barcelona”, u dhanë zemër skuadrës së tyre që pas një goditjeje të Amansios më në 112’ arriti të shënonte një gol të sfilitshëm, por që e dërgoi ata në finale.

Për sovjetikët takimi me danezët ishte një “aperitiv” para finales së madhe. Me golat e Voroninit, Ponexjelnikut dhe Ivanovit ata u dhanë një mësim të mirë danezëve,  për të cilët kjo “aventurë”,  që u mbyll me vendin e katërt pas humbjes me Hungarinë 1-3, ishte preludi i një futbolli të tyre flladitës që, siç përmenda më sipër,  do të do të frynte më pas në stadiumet e botës.

Edhe në finale me sovjetikët, që u drejtua nga anglezi Holland, Spanja hasi në të njëjtën rezistencë që kishte hasur me hungarezët. Sidoqoftë,  nuk u desh shtesë loje. Kur pas golave të Peredës në minutën e 6-të dhe barazimit të Husainovit dy minuta më pas, mbeteshin edhe pesë minuta që të mbyllej koha e rregullt që do të shpinte në kohën shtesë prej 2×15 minuta, qendërsulmuesi spanjoll Marselino,  siç më kujtohet atë ditë edhe nga pamjet televizive të RAI-t,  pasi përfitoi nga “një huq”i një mbrojtësi kundërshtar, arriti të shënonte me kokë në portën e gjigantit Jashin, atë gol që e shpuri Spanjën për herë të parë dhe jo të fundit në piedestalin e futbollit evropian e më pas botëror.

Diktatori Franko, siç e kemi parë më shkrimin për evropianin e parë të  katër vjet të shkuara,  për motive politike kishte refuzuar që Spanja të ndeshej me skuadrën e vendit më të madh të kuq. Tani ndeshej me të në finale dhe ku?. . . Në Madrid!. . .  Dhe,  si të pendohej se mbase këtë rezultat mund ta kishte arritur edhe katër vjet të shkuara në Paris, skuadra spanjolle e mposhte atë dhe merrte edhe mirënjohjen e vetë gjeneralisimit Franko, i pranishëm në tribunën e nderit.

Me këtë fitore sportive ai rrekej të bindte veten se kishte fituar dhe më shumë “besueshmëri” politike jo vetëm para mijëra e mijëra shikuesve në stadium,  por mbi të gjitha para opinionit publik spanjoll dhe botëror.  Por ishte vetëm iluzion.

Skuadra kampione kishte këtë përbërje: Iribar, Revija, Olivera, Kaleja, Zoko, Fuste, Amansio, Pereda, Marselino, Suares, Lapetre. Trajner- Vijalonga.

Golshënuesit më të mirë të fazës finale të këtij turneu ishin: Pereda (Spanjë), Benek dhe Novak, (Hungari) me nga dy gola.

Skuadra simbolike Euro ‘64:

Jashin, (BS),  Rivilia, (Spanjë), Novak, (Çekosllovaki), Soko, (Spanjë), Oliveja (Spanjë), Amaro (Spanjë), Ivanov, (BS), Suares, (Spanjë), Bene, (Hungari), Pereda, (Spanjë), Albert, (Hun-gari)

(Vijon në numrat e ardhshëm)

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?