HISTORIKE/ Një shqiptar në garë për Këpucën e Artë, “Pirati” sfidon Mbappe dhe Kane
Gara për Këpucën e Artë 2026 po dhuron surpriza të mëdha këtë sezon, ku pjesë e garës është edhe Vedat Muriqi. Për herë të parë në histori, një futbollist shqiptar është pjesë e pesëshes më të mirë të renditjes për golashënuesin më të mirë të Europës. Sulmuesi i Mallorcës renditet mes emrave më të mëdhenj të futbollit botëror, duke lënë pas dhjetëra yje të njohur.
Muriqi ndodhet aktualisht në vendin e pestë, pas Harry Kane, Kylian Mbappe, Erling Haaland dhe Igor Thiago. Me 30 pikë të grumbulluara, “Pirate” i Mallorcës po përjeton sezonin më të mirë të karrierës së tij, duke u shndërruar në një makineri golash dhe lider absolut të skuadrës spanjolle.
Forma e jashtëzakonshme e sulmuesit nga Kosova ka qenë vendimtare edhe për ecurinë e Mallorcës në La Liga. Golat dhe asistet e tij kanë sjellë fitore të rëndësishme, duke e mbajtur skuadrën në luftë të drejtpërdrejtë me rivalë shumë më të mëdhenj. Lista aktuale sipas pikëve kryesohet nga Harry Kane dhe Kylian Mbappé me nga 44 pikë, të ndjekur nga Erling Haaland me 40, Igor Thiago me 32 dhe Vedat Muriqi me 30 pikë. Një renditje që flet qartë për peshën e arritjes së sulmuesit shqiptar.
Muriqi po dëshmon se me punë, këmbëngulje dhe instinkt goli, edhe një futbollist që dikur ka qenë pjesë e kampionatit shqiptar mund të lërë gjurmë dhe në kampionatet prestigjioze.
KOHA JONË SONDAZH

