Hoxhaj: Kisha një ofertë nga Turqia, kam pakt me presidentin Xhaferi!

Golashënuesi më i mirë i Kategorisë Superiore, Ardit Hoxhaj ka udhëtuar si spektator dhe tifoz i parë i Vllaznisë në “Elbasan Arena” për përballjen me Kukësin, pasi një karton i kuq i marrë ndaj Teutës i ka kushtuar mungesën në fushë. Në prag të sfidës me verilindorët, sulmuesi vlonjat zbuloi ofertën e ardhur për të nga Turqia dhe paktin e bërë me sponsorin e Vllaznisë, Alban Xhaferi.

“Më vjen keq që nuk do të luaj sot, pasi po aktivizohesha rregullisht dhe po bëja mirë, por shpresoj që skuadra të arrijë të marrë një tjetër rezultat pozitiv. Dihet që elementi kryesor i Vllaznisë është forca e grupit dhe ka pasur plot raste kur kanë munguar titullarë, por nuk janë ndjerë në fushë. Mendoj që edhe sot ata që do të luajnë, do të bëjnë më të mirën në fushë.

Të jem i qartë, mentaliteti ynë është të hymë në fushë për të fituar çdo ndeshje, por duke qenë se luajmë me një rival direkt, unë mendoj se do të ishte mirë që të paktën të mos humbnim.

Ofërta nga Turqia? Është e vërtetë që kam pasur një ofertë zyrtare nga klubi turk i Bolusporit. Ka qenë një ofertë shumë e mirë financiare për mua personalisht, por bashkë me presidentin kemi vendosur që të çojmë deri në fund projektin që kemi nisur me Vllazninë.

Kam rinovuar kontratën me Vllazninë dhe kam marrë premtimin nga presidenti që do të largohem në verë, qoftë edhe nëse vjen një ofertë më e ulët sesa klauzola e parashikuar në kontratë. Megjithatë fillimisht duhet të mendojmë për Vllazninë dhe për të çuar deri në fund rrugën që kemi nisur”, deklaroi Hoxhaj.

 

SHKARKO APP