Bayerni dje pësoi një nga humbjet më të thella në histori në transfertën ndaj Eintrachtit të Frankfurtit. Pakënaqësia ndaj trajnerit kroat Niko Kovac është shtuar ndjeshëm tashmë. Drejtuesit e klubit, që shohin ndërprerjen e kampionatit pas javës së ardhshme, si momentin ideal për të ndryshuar kreun e pankinës.
Në rast të shkarkimit të Kovac, në krye të listës për të marrë vendin e tij është Jose Mourinho, i cili prej thuajse një viti është i papunë dhe në intervistat e tij nuk e ka mohuar dëshirën për të punuar në një kampionat të ri dhe në CV-në e tij mungon një eksperiencë në Bundesligë.
Përveç portugezit, një emër që “josh” drejtuesit e Bayernit është edhe ai i ish trajnerit të Juventusi, Massimiliano Allegri, që gjithashtu është i lirë dhe i gatshëm për të provuar një eksperiencë jashtë Italie.
Gjithsesi Niko Kovac do të ketë edhe dy shanse të fundit, në Champions dhe në fundjavën e ardhshme ndaj Borussias së Dortmundit, ku me dy fitore do të konfirmonte vetveten.
