Humbja me Skënderbeun, Kukësi me trajner serb për trofeun e Kupës së Shqipërisë?
Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, tha se ai personalisht nuk kishte ushtruar asnjë lloj presioni të tejkaluar ndaj skuadrës së tij përpara ndeshjes së humbur me Skënderbeun. Goli i Sabien Lilaj i dha fitoren Skënderbeut, që i ngjiti korçarët 6 pikë para Kukësit e Partizanit, si dhe tre pikë para Tiranës së vendit të dytë. Pas humbjes, është shkarkuar trajneri Artim Shaqiri. Por ka pasur edhe debate në lidhje me përgatitjet e këtij takimi, që sqarohen nga presidenti Gjici. – “Ishte normale që do të kishte presion, pasi ishte një ndeshje shumë e rëndësishme, edhe për të gjithë ata tifozë që ishin të pranishëm. Do të kishte presion vetvetiu, janë ndeshje të atilla që e krijojnë vetë presionin. Por, ajo që duhet të them, se presidenti nuk ka bërë presion. Në shumë media të ndryshme flasin që presidenti bën presion, por kjo nuk është e vërtetë. Unë kisha një javë pa i takuar lojtarët, sot i takova për herë të parë”. Gjici deklaroi se dalja e Smajlit me karton të kuq, e gabuar sipas tij nga gjyqtari Meta, ndikoi në humbjen e kuksianëve. “Ky arbitër na dëmtuar, sa herë që ai na ka arbitruar. Ai duhet ta këshillonte para kartonit të verdhë, por ai nuk vonoi që ta jepte, duke na dëmtuar. Berisha i Skënderbeut nuk la gjë pa bërë, por nuk iu dha asnjë karton, por iu dha Smajlit”.
Gjici bëri akuza për një skemë, për ta kanalizuar kampionatin atje ku donin shumë faktorë, për të dalë kampion Skënderbeu. “Donin ta nxirrnin atje ku donin ta nxirrnin Skënderbeun. Gjithsesi, ky është një futboll që shpeshherë të mërzit aq shumë sa ndonjëherë them se do të bëja mirë të largohesha. I njoh mekanizmat si po funksionin ky futboll, nuk është e ndershme. Ju e keni parë se çka ndodhur kundër nesh në Korçë”, – tha Gjici. Në lidhje me shkarkimin e Artim Shaqirit, Gjici tha se “kur humbet, është trajneri ai që e pëson, pavarësisht se faji është edhe i lojtarëve, por edhe Smajli ka përgjegjësit e tij, qysh kur mori kartonin e parë të verdhë. – “Trajneri duhet ta menaxhonte më mirë ndeshjen. Kjo ndeshje nuk duhej kurrsesi, por tani jemi këtu ku jemi dhe ajo nuk mund të kthehet mbrapsht”, – tha Gjici, duke shtuar se synimi tani është fitimi i Kupës. Por sipas tij Kukësi do të luftonte fort edhe në kampionat, pasi deri në fund të tij janë dhe katër ndeshje.
Safet Gjici mban aktualisht edhe postin e Prefektit të Kukësit. Ai do të kandidojë nën siglën e PS-së, për Bashkinë e Kamzës. Megjithatë, kërkon që Kukësi të fitojë të paktën një trofe, ku kupa duket më e arritshme. Ka pasur nga tifozët akuza, se humbja e fundit me Skënderbeun mund të ketë ardhur edhe si kompromis që korçarët të fitojnë titullin kampion dhe Kukësi atë të kupës. Gjithsesi, mbetet që skuadra verilindore të zgjedhë pasuesin e Artim Shaqirit për pjesën e mbetur të këtij sezoni. Drejtori teknik, serbi Miodrad Radanoviç shihet si pasuesi i Shaqirit, në pjesën e mbetur të këtij sezoni.
KOHA JONË SONDAZH

