Hysaj e uli kokën para topit, por ju që e ulni kokën para pushtetit!

Nga Sonila Meço:

Do behet ky vend, po mor po do bëhet, por kur numri i statuseve, komenteve, shfryrjeve, indinjimeve, reagimeve për si uli kokën Hysaj, mbrojtës skuadre për t’i lënë rrugë të lirë ‘ngrënies’ së dy golave në portën tonë, të jetë barabar me atë të njerëzve të indinjuar në rrugë e sheshe për si ul kokën pushteti përballë mafies e krimit të organizuar për t’i lënë rrugë të lirë ‘ngrënies’ së jetës së çdo shqiptari n’tokë t’vet.

As mos më thoni s’ka vend krahasimi, se futbolli eshtë adrenalinë, qejf e arrati nga stërmundimet e ditës, sepse shqeto thënë, është bast edhe më i parëndësishëm se ai ku në lojë është krejt çfarë ke bërë e sakrifikuar në jetë.

E për më tepër kur bash ashtu, kokëulur me pasoja shumë më të rënda ngjajmë teksa na shpartallojnë goditjet e kundërshtarit më të madh sot për sot në ‘lojën’ e jetës, pushtetit.

Hysaj mandej lau ndoshta edhe karmën e kujt mbështeti politikisht, por nuk është ai arkitekti i humbjes sonë më të madhe, ndaj nuk meriton më shumë gurë linçimi se çdo kokë ‘e ulur’ shqiptari, që lejon ‘golat’ në ‘portën’ ku luhet rezultati i jetës së vet. E ku kundërshtar nuk ka Bastonin e Italisë, por ‘bastunin’ e Shqipërisë.

SHKARKO APP