Hysaj pas humbjes me Izraelin: Po shohim një Shqipëri më sulmuese, duhet kohë për idetë e trajnerit
Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, komentoi humbjen 0-1 ndaj Izraelit, duke theksuar se skuadra po kalon një fazë përshtatjeje me trajnerin e ri dhe filozofinë e tij të lojës.
Futbollisti kuqezi u shpreh se vazhdon të japë maksimumin sa herë që vesh fanellën e Shqipërisë dhe se ky do të mbetet objektivi i tij edhe në të ardhmen.
“Kur luaj me fanellën e Shqipërisë, objektivi im është të jap maksimumin deri sa të kem fuqi dhe kështu do të vazhdoj edhe më tej”, deklaroi Hysaj.
Duke u ndalur te puna me trajnerin e ri, mbrojtësi vlerësoi idetë e stafit teknik, por nënvizoi se skuadra ka pasur shumë pak kohë për të përvetësuar mekanizmat e rinj të lojës.
“Ky është një trajner i ri, me ide të reja, të cilat besoj se me kalimin e kohës do të sistemohen. Kemi pasur vetëm katër ditë kohë për të punuar si në aspektin mbrojtës, ashtu edhe në atë sulmues”, tha ai.
Sipas Hysajt, një nga ndryshimet më të dukshme është qasja më ofensive e ekipit në fushë.
“Ka gjëra pozitive. Po shohim një lojë më sulmuese sesa kemi zhvilluar më parë. Shpresoj që të gjithë të japim kontributin tonë që të jemi më mirë në ndeshjet e ardhshme”, përfundoi mbrojtësi kuqezi.
KOHA JONË SONDAZH

