I jepet lamtumira e fundit Arben Lazes, Shulku: Humbje e madhe për Elbasanin dhe futbollin

Komuniteti i futbollit shqiptar i dha sot lamtumirën e fundit Presidentit të Elbasanit, Arben Laze, i cili u nda nga jeta në moshën 53-vjeçare pas probleme kardiake. Homazhet në nderim të Lazes u zhvilluan sot nën kujdesin e Federatës Shqiptare të Futbollit në stadiumin “Elbasan Arena”, ndërkohë që i gjithë Elbasani ishte i pranishëm në ceremoninë e përcjelljes për në banesën e fundit të Arben Lazes, që njihet si njeriu që ka dhënë kontributin më të madhe për futbollin ndër vite për këtë qytet.

Të pranishëm në homazhe ishin edhe përfaqësuesit më të lartë të FSHF-së, që nga Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku, zv.presidenti Lutfi Nuri, anëtarë të Komitetit Ekzekutiv si edhe zyrtarë të FSHF-së. Pas homazheve Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, shprehu ngushëllimet për këtë humbje të madhe, teksa vlerësoi edhe kontributin që Arben Laze ka dhënë ndër vite për futbollin e Elbasanit.

“Jam sot këtu për t’i dhënë lamtumirën e fundit mikut tim, Arben Lazes dhe gjithashtu në emër të Presidenti Duka dhe Federatës Shqiptare të Futbollit dua t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së Arbenit, klubit të Elbasanit dhe gjithë komunitetit të futbollit në këtë qytet për këtë humbje të madhe”, tha Shulku në një prononcim për mediat.

“Ai ka dhënë një kontribut madhor në zhvillimin e futbollit në Elbasan, duke e ngjitur këtë klub në majat më të larta me shpalljen kampion të Shqipërisë në sezonin 2005-2006. Ne të gjithë kemi humbur një mik shumë të madh të futbollit.

Jam i bindur se ai do të mbetet gjatë në memorien kolektive të komunitetit të futbollit, por edhe më gjerë, për vlerat që kishte. U prehtë në paqe, kujtimi i Arben Lazes do të mbetet gjithmonë i paharruar”, theksoi ndër të tjera Sekretari i Përgjithshëm në fjalën e tij.

SHKARKO APP