I përket Fiorentinës? Taulant Xhaka: Nuk di gjë!
Transferimi i mesfushorit kuqezi, Taulant Xhaka te Fiorentina nuk mund të quhet edhe aq i lehtë. Kalimi i tij në Seria A konsiderohej vetëm çështje procedurash, por është vetë mesfushori shqiptar që "ngrin" gjithçka, duke u shprehur se aktualisht nuk ka asnjë pistë konkrete për të ardhmen e tij larg Zvicrës, edhe pse ish trajneri i Baselit, Paulo Sousa vazhdon të këmbëngulë për ta transferuar në Toskanë.
Në një intervistë dhënë për mediat zviceriane, shqiptari thekson se ka një kontratë që e lidh me Baselin dhe nuk di asgjë rreth interesimit të skuadrës italiane.
Sipas gazetës “Basler Zeitung”, 24-vjeçari shqiptar mbetet një pikë referimi për mesfushën e skuadrës së drejtuar nga Urs Fischer, pasi ai mund të mbulojë shumë role në këtë repart ku mungesat e shuma për shkak dëmtimesh kanë shkaktuar një situatë kaotike.
Kjo e përditshme shton se Baseli e cilëson Xhakën si një element thelbësor dhe në këtë mënyrë mund të bëjë gjithçka për ta mbajtur në grup të paktën edhe një sezon. Në ndeshjen e parë të sezonit të fituar 2-0 kundër Vaduz, Xhaka u aktivizua gjatë 90 minutave ashtu si edhe sulmuesi Shkëlzen Gashi, emrat e të cilëve janë lidhur me disa skuadra europiane gjatë javëve të fundit.
KOHA JONË SONDAZH

