Ibrahimoviç përkulet para Messit: Ai 5 gola për 2 ndeshje, unë 0 në 2 Kupa Bote
Edhe një personalitet si Zlatan Ibrahimovic, i njohur për vetëbesimin e tij të madh, nuk ka kursyer elozhet për Lionel Messi. Këshilltari i lartë i RedBird ka shprehur admirimin e tij të plotë për yllin argjentinas gjatë një interviste në studiot e Fox Sports, duke e cilësuar atë si një fenomen unik në historinë e futbollit.
“Ka momente kur duket njerëzor, si kur humbi penalltinë. Por menjëherë pas kësaj ka momente kur nuk duket fare njerëzor. Messi është pikërisht kjo. Ai kryeson listën e golashënuesve në Kupën e Botës dhe ende nuk ka luajtur ndaj Jordanisë. Sinqerisht, nuk e di se ku mund të ndalet”, deklaroi Ibrahimoviç.
Ish-sulmuesi suedez vijoi me krahasimin mes statistikave të tij dhe atyre të kampionit të botës, duke treguar respekt të jashtëzakonshëm për arritjet e argjentinasit.
“Ai ka shënuar pesë gola në dy ndeshje. Unë kam realizuar zero gola në dy Kupa Bote ku kam marrë pjesë. Jam i lumtur për të dhe shpresoj të vazhdojë kështu. Nesër është edhe ditëlindja e tij, ndaj i uroj të vazhdojë të shijojë futbollin, sepse ne kënaqemi duke e parë të luajë. Është i jashtëzakonshëm, nuk ka fjalë që mund ta përshkruajnë”, u shpreh Ibrahimoviç.
Messi po kalon një formë të shkëlqyer në këtë Kupë Bote, duke udhëhequr Argjentinën me paraqitje spektakolare dhe duke konfirmuar edhe një herë statusin e tij si një nga futbollistët më të mëdhenj në historinë e sportit.
KOHA JONË SONDAZH

