Ibrahimovic: Ronaldo fenomeni mbetet më i miri i të gjitha kohërave
Zlatan Ibrahimovic ka rrëfyer një anë shumë personale të formimit të tij si futbollist, duke shprehur admirimin maksimal për Ronaldon “Fenomenin”, të cilin e konsideron si lojtarin më të madh në historinë e futbollit.
I ftuar special në emisionin (Ne)uspjeh prvaka, ish-sulmuesi i Milanit dhe aktualisht drejtues në klub, tregoi se idhujt e tij të parë kanë qenë Muhammad Ali dhe më pas Ronaldo.
“Shikoja Muhammad Ali në televizor, edhe pse atëherë gjithçka ishte bardh e zi. Më pëlqente mënyra si fliste dhe si sillej, nuk ishte arrogant. I thosha vetes: dua të jem si ai, por në futboll. Pastaj pashë për herë të parë Ronaldon dhe gjithçka ndryshoi”, u shpreh Ibra.
Sipas suedezit, ndikimi i brazilianit ishte vendimtar në stilin e tij të lojës. “Kur sheh një lojtar të tillë, fillon të imitosh gjithçka që bën. Për mua, Ronaldo ka qenë dhe mbetet më i miri i të gjitha kohërave. Ka shumë kampionë të mëdhenj, por për mua ai është numri një”.
Ibrahimovic tregoi edhe përkushtimin e tij për të mësuar nga idhujt, në një kohë kur nuk ekzistonin rrjetet sociale apo platformat video.
“Shkoja në bibliotekë për të kërkuar video, fshihesha për të parë driblimet dhe lëvizjet e tij. Doja t’i mësoja ato. Në këtë mënyrë ndërtova stilin tim, duke u frymëzuar nga Muhammad Ali dhe Ronaldo”, përfundoi ai.
KOHA JONË SONDAZH

