Inaugurimi i “shtëpisë së re”, Tirana ngre “duart lart” para Skënderbeut
Skënderbeu fitoi sot në “Selman Stërmasi” përballë Tiranës me rezultatin 1-2. Impianti i rikonstruktuar ka hapur dyert për këtë supersfidë, por që nuk rezultoi fatsjellës për bardheblutë e Ilir Dajës. Golat e Salihit dhe Lilajt në secilën nga pjesët zhvlerësuan rrjetën e Elis Bakajt i cili realizoi me penallti. Një ndeshje që prodhoi spektakël, raste, gola, kartonë, kontestime, por që në fund mbyllet me fitoren e bardhekuqëve që nuk lejojnë thellimin e diferencës me Partizanin.
Që në fillim, Skënderbeu tregohet i saktë dhe shënon shumë shpejt që në minutën e 4′. Vangjeli kombinon me Prognin në krahun e djathtë, kroson bukur drejt zonës, Salihi kërcen mbi të gjithë dhe godet me kokë duke e dërguar topin në rrjetë.
Vendasit pretendojnë edhe për një penallti pasi ka pasur një kontakt mes Likës dhe Arapit brenda zone, por nuk mendon kështu Enea Jorgji. Tirana sulmon dhe Skënderbeu mbrohet mirë, korçarët përvecse bllokojnë mirë aksionet e bardhebluve edhe kundërsulmojne.
Me fillimin e të dytës korçarët në harkun e 10 minutave 45-55 kanë 4 mundësi të mira për të dyfishuar por nuk ia arrijnë. Megjithatë goli i dytë nuk vonon. dhe në minutën e 71-të dyfishon Lilaj. Aksion i shpejtë i korçarëve, Olainka del i vetëm përballë portierit, por bllokohet, topi mbetet aty, Berisha e pason te Lilaj që vjen me shpejtësi dhe e shtyn në rrjetë.
Tirana hidhet në sulm dhe 4 minuta më vonë Fukui pengohet brenda zonës nga Vangjeli dhe ka penallti. Bakaj nga pika e bardhë shkurton diferencat. Goli rihap sfidën por Skënderbeu mbrohet mjaft mirë dhe arrin të marrë një fitore të rëndësishme që e afër Partizanit me 31 pikë, 4 më poshtë se të kuqtë. Tirana nga ana tjetër mbetet në vendin e 4 me 20 pikë.
Tirana-Skënderbeu 1-2
Shënues: Bakaj 76’ (11-m/ Salihi 04’, Lilaj 71’
Tirana: Ed.Bakaj, Teqja, Muça, Karan, Hoxhallari, Malaj, Karabeci, Vucaj, Lika, Fukui, El.Bakaj; Trajner: Ilir Daja.
Skënderbeu: Shehi, Vangjeli, Radas, Jashanica, Arapi, Lilaj, Eskuerdinja, Progni, Berisha, Olainka, Salihi; Trajner: Mirel Josa.
Gjyqtarë: Enea Jorgji, Emigres Ganxhi, Rudin Preca
Kategoria Superiore
Java e 13-të – 28 nëntor
Vllaznia-Flamurtari 4-0
Kukësi-Partizani 0-1
Tërbuni-Teuta 0-1
Bylis-Laçi 1-0
30 nëntor
Tirana-Skënderbeu 1-2
Klasifikimi
Partizani 35
Skënderbeu 31
Teuta 26
Tirana 20
Kukësi 20
Laçi 15
Flamurtari 10
Bylis 9
Vllaznia 8
Tërbuni 7
Trajneri i Tiranës:
Ilir Daja i pakënaqur: Rezultati ndikoi nga vendimet e gjyqtarit
Trajneri i Tiranës, Ilir Daja ndjehet i zhgënjyer nga gjykimi, pas humbjes. – “Sot kemi zhvilluar një ndeshje të mirë. Në pushim i thashë ekipit se kemi krijuar raste më shumë se në çdo ndeshje që kemi luajtur deri tani, por fati i keq ishte që nuk i shfrytëzuam. Ka qenë një ndeshje e gjykuar në një mënyrë aspak të rregullt. Mund të them se rasti i Gilman Likës ishte një penallti e pastër e cula nëse do të ishte dhenë mund të ndryshonte fatin e kësaj ndeshje. gjithashtu edhe mungesa e kartonit të dytë të verdhë për Vangjelin të penalltia. Unë nuk dua t’i futem më gjatë këtyre çështjeve, por mund të them se arbitrat kanë ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin e këtij takimi. Skuadra ka sakrifikuar shumë dhe ka luajtur mirë. Jemi 15 pikë larg kreut dhe titulli duket larg. Ne nuk mendojmë për titullin, por duhet të përmirësojmë rezultatet dhe lojën tonë”, deklaroi pas ndeshjes Ilir Daja.
Trajneri i Skënderbeut
Mirel Josa: Fituam një ndeshje, që duhet ta mbyllnim më shpejt
Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, i kënaqur pas fitores ndaj Tiranës, shprehet se ekipi ka nevojë për të tilla rezultate, për hir të objektivit të titullit kampion. “Ishte një ndeshje e dominuar totalisht nga ne. Duhet ta kishim mbyllur shumë më shpejt sfidën dhe të mos merrnim një fitore me zemër në dorë. Megjithatë jam i kënaqur nga ekipi pasi kemi nevojë për rezultate. Kemi zhvilluar loja të mira, por në fund rëndësi kanë pikët dhe ne kemi nevojë për to. Atmosfera ishte e shkëlqyer dhe e dinim që nuk do e kishim të lehtë, por për fat ditëm ta menaxhonim ketë sfidë dhe jam i lumtur që fituam. Skuadra mu përgjigj mjaft mirë. Jam shumë i kënaqur nga mesfusha pasi ishin superiorë në çdo dyluftim. Kam 18 lojtarë të gatshëm për t’i aktivizuar dhe kjo është një gjë e mirë. Mua më intereson që çdo lojtar që hidhet në fushë që të japë maksimumin. Përsa i përket titullit, është ende herët. Ne duhet të jemi të stabilizuar dhe të marrim ndeshjet një nga një dhe më pas gjatë rrugës do shohim si do ecim”, deklaroi pas ndeshjes Mirel Josa.
KOHA JONË SONDAZH

