Infantino i premton 30 milionë paund FSHF dhe 210 federatave të tjera për të miratuar planin e shitjes së Kupës së Botës

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, u ka ofruar federatave anëtare një paketë financiare të konsiderueshme në përpjekje për të siguruar mbështetjen për projektin e tij të diskutueshëm, që parashikon hapjen e Kupës së Botës ndaj investimeve private.

Sipas raportimit të The Times, Infantino u ka dërguar një letër 211 federatave anëtare të FIFA-s ( mes tyre me shumë mundësi edhe FSHF), duke u dhënë 53 ditë kohë për të vendosur nëse do të mbështesin krijimin e kompanisë së re FIFA Forward Enterprise, e cila do të menaxhojë aspektet komerciale të Kupës së Botës dhe Kupës së Botës për Klube.

Nëse projekti miratohet, FIFA do të krijojë një fond prej 10 miliardë dollarësh për zhvillimin e futbollit, nga i cili çdo federatë do të ketë mundësi të përfitojë deri në 40 milionë dollarë (rreth 30 milionë paund) gjatë ciklit që nis më 1 janar 2027. Në letrën drejtuar federatave, Infantino thekson se vendimi u takon plotësisht anëtarëve.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Vendimi nëse do të vazhdohet apo jo me këtë propozim është tërësisht në dorën tuaj. Nëse e miratoni, paketa prej 10 miliardë dollarësh do të jetë e disponueshme duke filluar nga 1 janari 2027. Nëse zgjidhni të ruani sistemin aktual, do të vazhdojmë me programin ekzistues ‘Forward’, i cili parashikon një fond prej 2.7 miliardë dollarësh”, thuhet në dokumentin e zbuluar nga mediat britanike.

Swiss Digital Mobile Reklama

Plani i FIFA-s parashikon krijimin e kompanisë FIFA Forward Enterprise, ku organizata do të mbajë shumicën e aksioneve, ndërsa investitorët privatë do të mund të blejnë 20 deri në 30 për qind të tyre. Përmes kësaj nisme, FIFA synon të tërheqë miliarda dollarë investime nga tregjet financiare.

Projekti ka hasur në kundërshtime të forta nga disa institucione të futbollit. Federata Angleze (FA) deklaroi se nuk ishte informuar paraprakisht për këtë plan dhe e cilësoi mungesën e transparencës si “thellësisht shqetësuese”.

Edhe UEFA reagoi ashpër, duke akuzuar FIFA-n se po rrezikon të komercializojë vetë thelbin e futbollit.

“Ky është një kufi që institucionet drejtuese të futbollit nuk duhet ta kalojnë kurrë. Shpirti dhe qeverisja e futbollit nuk janë asete që mund të tregtohen. Askush nuk është pronar i futbollit dhe ai nuk është pronë e FIFA-s për t’u shitur”, thuhet në deklaratën e UEFA-s.

Shqetësime ka shprehur edhe Concacaf, konfederata që administron futbollin në Amerikën e Veriut, Amerikën Qendrore dhe Karaibe. Organizata deklaroi se kishte mësuar për projektin vetëm përmes mediave dhe kritikoi mungesën e konsultimeve me organet drejtuese të futbollit.

Ndërkohë, sipas raportimeve të Sky Sports, federatat evropiane po shqyrtojnë edhe mundësinë e bojkotimit të Kupës së Botës nëse projekti i FIFA-s miratohet.

Për të hyrë në fuqi, plani i Infantino-s duhet të miratohet nga shumica e 211 federatave anëtare të FIFA-s. Megjithatë, kundërshtimi i UEFA-s, Federatës Angleze dhe Concacaf-it sinjalizon se debati për të ardhmen e qeverisjes së futbollit botëror sapo ka nisur.

Spain v Argentina: Final - FIFA World Cup 2026

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?