Infantino i zhgënjyer nga Italia: Nuk e kam parë asnjëherë në Botëror gjatë presidencës sime!
Me nisjen e Kupës së Botës 2026 dhe ndeshjen hapëse mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka komentuar mungesën e Italisë në turneun më prestigjioz të futbollit, duke e cilësuar atë si një zhgënjim të madh.
Kreu i qeverisë botërore të futbollit pranoi se i vjen keq që kombëtarja italiane do të mungojë sërish në një Botëror.
“Ne italianët jemi kudo në botë, përveç Kupës së Botës. Jam president i FIFA-s që nga viti 2016 dhe nuk e kam parë asnjëherë Italinë në një Botëror. Pikërisht unë, që në vitin 1982 bëja tifo për Paolo Rossin dhe nuk humbisja asnjë ndeshje në televizion”, deklaroi Infantino.
Ai hodhi poshtë gjithashtu zërat që qarkulluan për një mundësi rikualifikimi ose ripeshkimi të Italisë për në Botërorin 2026.
“Dua të jem shumë i qartë: për Italinë nuk ka ekzistuar asnjëherë mundësia për t’u ripeshkuar, as edhe për një sekondë. Dua t’i jap fund disa gënjeshtrave të pakëndshme që janë thënë duke luajtur me ndjenjat e tifozëve. Tifozët nuk duhet të ushqehen me iluzione”, theksoi ai.
Pavarësisht mungesës së një prej kombëtareve më të suksesshme në historinë e futbollit, Infantino u shpreh optimist për edicionin e ri të Kupës së Botës, i cili për herë të parë do të zhvillohet me 48 skuadra pjesëmarrëse.
“Kjo do të jetë Kupa e Botës e parë me 48 ekipe. Një botë gjithnjë e më e pranishme dhe më e bashkuar në fushën e futbollit. ‘Football Unites The Ëorld’ nuk është thjesht slogani ynë, por realiteti që ndërtojmë dhe mbrojmë çdo ditë. Jam i bindur se do të jetë Botërori më i mirë në histori”, përfundoi presidenti i FIFA-s.
KOHA JONË SONDAZH

