Infantino kërkon të shesë aksione të Kupës së Botës, një kuotë edhe për familjen Trump

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka ndezur një përplasje të re me UEFA-n pas planit për të hapur futbollin botëror ndaj investimeve private. Krijimi i kompanisë së re “FIFA Forëard Enterprise” synon të mbledhë rreth 4.2 miliardë dollarë përmes shitjes së një pjese të aksioneve të Kupës së Botës dhe kompeticioneve të tjera madhore.

Sipas raportimeve të *Financial Times*, të konfirmuara më pas edhe nga selia e FIFA-s në Zyrih, organizata drejtuese e futbollit botëror ka prezantuar zyrtarisht projektin për krijimin e një strukture të re komerciale, e cila do të menaxhojë ekskluzivisht të drejtat dhe organizimin e Kupës së Botës dhe Kupës së Botës për Klube.

FIFA Forëard Enterprise vlerësohet rreth 20 miliardë dollarë (afërsisht 17.5 miliardë euro) dhe synon të tërheqë deri në fund të vitit 4.2 miliardë dollarë investime duke shitur paketa minoritare aksionesh, pa i dhënë investitorëve kontroll mbi kompaninë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Mes institucioneve financiare të përfshira përmendet edhe banka amerikane e investimeve JP Morgan, ndërsa vëmendje të madhe ka shkaktuar interesimi i fondit Thrive Eternal, i drejtuar nga Joshua Kushner, vëllai i Jared Kushner, dhëndrit të ish-presidentit amerikan Donald Trump.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ky zhvillim ka shkaktuar reagim të ashpër nga UEFA, e cila e konsideron projektin një kërcënim për mënyrën e qeverisjes së futbollit.

“Ky është një kufi që institucionet drejtuese të futbollit nuk duhet ta kalojnë kurrë. UEFA e merr këtë çështje jashtëzakonisht seriozisht. Shpirti dhe qeverisja e futbollit nuk janë asete që mund të tregtohen, veçanërisht pa transparencë të plotë se kush do të përfitojë financiarisht”, thuhet në deklaratën e UEFA-s.

Marrëdhëniet mes Infantino-s dhe rrethit politik të Donald Trump nuk janë të reja, por ato janë forcuar pas Kupës së fundit të Botës në SHBA, Kanada dhe Meksikë, një turne që solli të ardhura rekord prej rreth 12 miliardë dollarësh për FIFA-n.

Për të qetësuar shqetësimet e 211 federatave anëtare, Infantino ka përdorur argumentin financiar. Gjatë një takimi në Manhattan më 18 korrik, në prag të finales së Botërorit mes Spanjës dhe Argjentinës, kreu i FIFA-s prezantoi programin “FIFA Fast-Forëard”, përmes të cilit premtoi rritje të ndjeshme të fondeve për federatat kombëtare.

“Ky është demokratizimi i futbollit në nivel global”, u shpreh Infantino, duke e cilësuar projektin si mënyrën më të mirë për të çliruar potencialin e pashfrytëzuar komercial të futbollit.

Megjithatë, kritikët e shohin këtë lëvizje si një strategji për të forcuar ndikimin politik të Infantino-s përpara zgjedhjeve të ardhshme në FIFA, ku zvicerani pritet të kërkojë një mandat të katërt dhe të fundit deri në vitin 2031.

Nuk është hera e parë që Infantino tenton një marrëveshje të madhe me kapitalin privat. Në vitin 2018, ai u përpoq të realizonte një ofertë prej 25 miliardë dollarësh për një periudhë 12-vjeçare nga gjiganti japonez SoftBank, me mbështetje financiare edhe nga Arabia Saudite. Projekti dështoi pas kundërshtimit të përbashkët të UEFA-s dhe klubeve evropiane.

Ndërkohë, marrëdhëniet mes FIFA-s dhe Arabisë Saudite janë forcuar vitet e fundit. Arabia Saudite ishte një nga sponsorët kryesorë të Kupës së Botës për Klube 2025 në Shtetet e Bashkuara dhe ka marrë zyrtarisht organizimin e Kupës së Botës 2034.

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?