Infantino nuk tërhiqet, FIFA u vendos ultimatum 211 federatave për projektin miliardësh të Botërorit
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka hedhur një tjetër hap në projektin e tij për komercializimin e Kupës së Botës, një plan që ka shkaktuar polemika të forta në futbollin ndërkombëtar.
Sipas raportimeve, objektivi i Infantinos është që një pjesë e të drejtave komerciale të Botërorit t’u shitet fondeve private të investimeve, përmes kompanisë së re FIFA Forward Enterprise (FFE), e krijuar për të menaxhuar të drejtat tregtare të Kupës së Botës për Kombëtare dhe Botërorit të Klubeve.
Mes subjekteve të interesuara për këtë projekt përmendet edhe banka amerikane e investimeve JP Morgan, si dhe fondi Thrive Eternal, i drejtuar nga Joshua Kushner, vëllai i Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump. Pas kritikave të shumta nga UEFA dhe aktorë të tjerë të futbollit e politikës, Infantino ka vendosur t’u drejtohet drejtpërdrejt të gjitha 211 federatave anëtare të FIFA-s.
Në një letër zyrtare, presidenti i FIFA-s u ka paraqitur federatave një ofertë financiare të konsiderueshme për t’iu bashkuar projektit FFE. Sipas dokumentit, çdo federatë që mbështet nismën do të përfitojë menjëherë një pagesë të vetme prej 20 milionë dollarësh, ndërsa fondet vjetore për katërvjeçarin e ardhshëm do të rriten nga 2 milionë në 5 milionë dollarë.
Nga ana tjetër, federatat që do të refuzojnë projektin rrezikojnë një ulje drastike të mbështetjes financiare nga FIFA. Raportimet flasin për një shkurtim deri në 75% të fondeve, një lëvizje që është interpretuar nga kritikët si një presion i fortë ndaj vendeve anëtare.
Afati për marrjen e një vendimi është caktuar më 19 shtator, vetëm një ditë përpara ndërprerjes së madhe të kampionateve për ndeshjet e kombëtareve. Deri atëherë, 211 federatat do të duhet të vendosin nëse do t’i bashkohen projektit të ri të FIFA-s apo do të rrezikojnë humbjen e një pjese të konsiderueshme të financimeve.
KOHA JONË SONDAZH

