Inter dhe Nico Gonzalez, reagimi i ashpër i tifozëve: “Një favor për Juventusin, më mirë Nagatamo…”
Interi është ende në kërkim të pasardhësit të Denzel Dumfries. Drejtuesit zikaltër po punojnë për t’i siguruar trajnerit Chivu një anësor të djathtë, i cili mund të garantojë shpejtësi dhe asiste në atë korsi. Aktualisht, dy profile janë në garë: Moussa Diaby, ish-lojtar i Crotone dhe në largim nga Al-Ittihad, si dhe Nico Gonzalez. Argjentinasi i lindur në vitin 1998, në pronësi të Juventusit dhe i huazuar te Atletico Madrid sezonin e kaluar, i është propozuar Marottës dhe Ausilios. Ai nuk ka bindur te bardhezinjtë dhe nuk dëshiron të kthehet në Torino. Në Kupën e Botës, ai gjeti hapësirë, duke qëndruar në stol vetëm kundër Jordanisë. Megjithatë, tifozët zikaltër janë gjithçka tjetër veçse të bindur për lojtarin.
Në rrjetet sociale, përdoruesit kanë shpërthyer duke shprehur zhgënjimin e tyre të plotë. “Preferoj 100 herë Diaby-n para Nico Gonzalez, edhe pse të dy do të ishin lojtarë me këmbë të majtë në të djathtë,” shkruajnë ata në Twitter. Ka edhe nga ata që kanë qenë më të ashpër: “Inter, mos bëjmë shaka. Nico Gonzalez është i kotë, për ne është i padobishëm. Nuk është një ‘quinto’ (anësor i avancuar), për çfarë na duhet. Mos bëjmë budallallëqe.” Anësori argjentinas është me pushime pas Kupës së Botës, por tashmë i ka komunikuar Juventusit dhe Luciano Spallettit se dëshiron të ndryshojë ambient dhe të mos kthehet aty ku është fishkëllyer për një performancë jo në nivelin e duhur.
Dy sezone më parë te bardhezinjtë, ai grumbulloi 38 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke shënuar 5 gola dhe dhënë 4 asiste. Vitin e kaluar te Atletico Madrid, ai luajti 39 ndeshje me 5 gola në La Liga. Diego Simeone i dha besim dhe minuta, Nico u ndalua nga disa dëmtime, por në Spanjë gjeti vazhdimësi. Lidhur me problemet fizike, në rrjetet sociale përdoruesit kanë numëruar të gjitha problemet fizike dhe ndeshjet e humbura nga lojtari i lindur në ’98, duke propozuar si zgjidhje të vetme një shkëmbim të mundshëm me Frattesin. “I prirur ndaj dëmtimeve par excellence, do t’i bëje vetëm një favor Juventusit. Një profil nga i cili duhet të qëndrosh larg. Përsëris, e vetmja rrugë: shkëmbim dëshpërimi me Frattesin.”
Tifozët e Interit nuk e harrojnë të kaluarën bardhezi të lojtarit. “I shënuar për jetë, mëkat origjinal,” thërrasin mbështetësit zikaltër, “i bëjmë një favor Juves dhe është një supë e ringrohur.” Por ajo që më së shumti nuk u pëlqen interistëve është performanca e treguar në këto vite nga argjentinasi, pavarësisht tre sezoneve të mira me Fiorentinën. “Përpiqem të mos nxitohem,” thotë një përdorues në Twitter, “Nico Gonzalez është një ‘quinto’? Jo. Është një lojtar ku duhet investuar? Jo. Po të mund të zgjidhja, a do ta merrja? Absolutisht jo.” Mendimi i interistëve në rrjetet sociale është shumë i qartë: anësori i djathtë i lindur në ’98 nuk është i mirëpritur.
Në Instagram, dikush ka qenë edhe më imagjinativ duke publikuar një meme irreverente: lotët e Scalonit në përgjigje të hipotezës së transferimit të Nicos te Interi. Edhe në Twitter, megjithatë, ka nga ata që kanë provuar të qetësojnë situatën me ironi: “Nico Gonzalezit i preferoj 100 herë Nagatomon dyzetvjeçar…” E ardhmja e anësorit argjentinas të lindur në ’98 është ende e paqartë. Atletico Madrid, në fund të sezonit të kaluar, mund ta blinte për 32 milionë euro, por vendosi të mos e ushtrojë këtë të drejtë. Ata provuan të bënin një propozim të ri më të ulët te bardhezinjtë, por Juventusi theksoi se e vlerëson lojtarin jo më pak se 27 milionë euro. Një marrëveshje mund të gjendet rreth 25 milionë plus bonuse, ose me një propozim shkëmbimi. Kontaktet vazhdojnë, por opinionet negative të tifozëve të Interit mund të frenojnë ashpër marrëveshjen.
Marrë nga La Gazzetta dello Sport
KOHA JONË SONDAZH

