Inter, gabimi i Reds! Një Liverpool në krizë mbërrin në San Siro, Chivu synon fazën e 1/8-ave pa play-off
Kohë për histori evropiane, kohë për kthesa të mëdha. Dhe durim për parakalimin e Napolit, i cili është rikthyer i pari në Serie A. Interi po përpiqet të ngrejë nivelin, duke shfrytëzuar fitoren e bujshme kundër Comos dhe efektin e San Siros që shpesh e ka shtyrë përtej kufijve të vet. Liverpooli, i ndezur nga rezultate të luhatshme dhe polemika e zhurmshme e nxitur nga Mohamed Salah, është një test cilësie dhe efikasiteti që Chivu e pret me një ankth të qetë, nëse më falni oksimoronin. Sepse udhëkryqi këtë herë është një mundësi, më shumë sesa një frikë. Një fitore e mundshme do të eliminonte “mallkimin e përballjeve direkte”, siç do të thoshte trajneri në lidhje me katër ndeshjet që ka humbur kundër skuadrave të mëdha në Itali dhe Evropë, dhe mbi të gjitha do të afronte shumë kualifikimin direkt në fazën e 1/8-ave të Champions League, një objektiv aspak i lehtë në një kompeticion të pasur dhe të pasigurt.
Humbja në Madrid, e ardhur si pasojë e një shpërqendrimi në minutën e 93-të, vonoi verdiktin, por nuk e shkatërroi renditjen: Interi është i katërti, pra në zonën e kualifikimit, me 12 pikë. Vitin e kaluar, për të hyrë mes tetë skuadrave të privilegjuara mjaftuan 16 pikë. Kjo do të thotë se mungojnë një fitore dhe një barazim në tre ndeshjet e fundit (pas Liverpoolit, vijnë Arsenali në shtëpi dhe Borussia Dortmundi jashtë) për të siguruar kalimin e dëshiruar, i cili shkurton rrugën evropiane me dy faza ndërmjetëse shumë të vështira (play-off-et) që u kushtuan shumë Juventusit, Milanit dhe Atalantës në edicionin 2024-25.
Interi nuk është skuadra më e fortë në Evropë, por në tre vitet e fundit ka treguar në shumë situata se është më e mira, sepse ka ditur të vlerësojë potencialin e saj duke përfituar nga dobësitë e të tjerëve. Nuk eliminohen rastësisht, njëra pas tjetrës, Bayerni dhe Barcelona, të cilat në edicionin e kaluar synonin pa fshehur pretendimet finalen e Monakos. Chivu duhet të rigjejë shpirtin e kampionëve të tij, të atyre që dinë të fitojnë ndeshje të caktuara me talent dhe me dinakëri. Këtyre u është shtuar Manuel Akanji, i cili e njeh Liverpoolin më mirë se kushdo, duke e sfiduar atë shumë herë në Premier League. Një hap tjetër i gabuar nuk do të ishte dramatik, sepse do të linte mundësinë për të rregulluar situatën, ose gjithsesi për ta sistemuar. Por një humbje e re do të shuante entuziazmin e katër golave kundër Comos dhe do të rihapte debatin mbi konsistencën reale të Interit të ri, i aftë të dominojë me rregullsi çarmatosëse motorët me cilindratë më të vogël, por që vuan kundër “admiraleve”.
Lajmi i mirë, madje shumë i mirë për Chivun, është se ka rikuperuar pothuajse të gjithë skuadrën, duke menduar edhe për Superkupën e Italisë. Thuram ka thyer “ramazanin” e golave me 3 gola në 2 ndeshjet e fundit, ndërsa Mkhitaryan po rikuperon formën më të mirë pas dëmtimit. Me dy futbollistë kaq të fortë dhe me përvojë do të jetë më e thjeshtë të anestetizohet tensioni, veçanërisht në fazat turbulente të ndeshjes. Nëse Luis Henrique është vërtet futbollisti që admiruam të shtunën e kaluar, edhe mungesa e vazhdueshme e Dumfries mund të tolerohet. Pjesën tjetër mund ta kontribuojë Lautaro, i cili ka rigjetur golat dhe madje edhe buzëqeshjen: puna e psikologut, të cilit “Toro” i është besuar me mençuri për të menaxhuar uljet dhe ngritjet që prekin çdo atlet, ka qenë e shkëlqyer. Lautaro, ndër të tjera, ka shënuar në të gjitha pesë ndeshjet e Champions League të luajtura në San Siro në vitin 2025, për një total prej 8 golash: kundër Liverpoolit do të kërkojë të zgjasë serinë për të barazuar rekordin e Andriy Shevchenkos, i vetmi lojtar i një skuadre italiane (Milanit) që ka shënuar në gjashtë ndeshje radhazi në shtëpi. Me një sulmues si ai, nuk ka arsye për të pasur frikë.
KOHA JONË SONDAZH

