Inter merr arratinë, Juve se kishte parë këtë start në 45 vjet
Interi në arrati. Ishte ky titulli që spikaste më shumë në faqet e para të shtypit sportiv italian këtë të enjte, sepse falë fitores ndaj 1-0 ndaj Veronës zikaltërit kanë krijuar një distancë të frikshme nga të gjitha skuadrat e tjera pretendente për të fituar titullin në Serinë A. Inter luan keq thonë kritikët, ka patur një kalendar të lehtë, shprehen disa të tjerë përfshirë këtu edhe trajnerin e Milanit, Sinisa Mihajloviç, i cili u mund në derbin e Madoninës nga zikaltërit, ka shumë vështirësi dhe arrin t’i fitojë ndeshjet vetëm falë meritave të ndonjë individi deklarojnë një pjesë tjetër e njerëzve.
Por pavarësisht të gjithave, Inter është aty në krye të klasifikimit me pikë të plota pas 5 javëve të para dhe tashmë mund të thuhet me plot gojën se në Serinë A, është momenti i skuadrës së Roberto Mançinit. Ky ekip të bën të kthehesh pas në kohë pasi ngjason shumë me Interin e rekordeve të sezonit 1988-1989 që drejtohej nga Giovanni Trapattoni, madje edhe skuadra e këtij të fundit nuk arriti të grumbullonte më shumë se 4 fitore dhe 1 barazim në 5 ndeshjet e para. Edhe në atë kohë Interi bëri shumë ndryshime duke afruar në ekip disa lojtarë cilësorë, siç ishin gjermanët Brehme dhe Matthaus pa harruar këtu edhe Bertin, Bianchin dhe Diaz. Ndaj Veronës zikaltërit u shfaqën edhe njëherë tjetër si një skuadër solide, cinike dhe që shfrytëzon rastet që i jepen. Për të thënë që Interi i Mançinit është si ai Trapattonit është ende herët, gjithsesi për momentin Roby Mancios siç e quajnë me përkëdheli gazetarët në Apenine, duhet t’i njihen meritat.
15 pikë në 5 javë nuk mund të jenë thjeshtë një rastësi, për më tepër vetëm 1 gol i pësuar. Stastistikat nuk gënjejnë dhe ky Inter është një skuadër që ngjall besimin dhe që ka arritur të rikthejë optimizmin te tifozët zikaltër që prej vitesh po e prisnin një moment të tillë. Sulmi calon disi por shumë trajnerë të medhënj thonë që është mbrojtja ajo që të jep tituj dhe prapavija e Interit në këtë fillim sezon bind me të vërtetë shumë. Të mendosh që Gary Medel edhe pse luan si mesfushor është zhvendosur nga Mancini në qëndër të mbrojtjes në tre ndeshjet e fundit kjo edhe për shkak të mungesave, fillimisht të Mirandës dhe më pas të Murillos por ajo që ka rëndësi është se kiliani edhe pse shtatshkurtër ka shkëlqyer në këtë pozicion. 6 pikë avantazh ndaj Milanit dhe Lazios, 8 me Romën, 9 me Napolin dhe 10 pikë ndaj Juventusit janë një sinjal i qartë që Inter po ecën me hapa të frikshëm. Të dielën në “San Siro” shkon Fiorentina skuadra që ndjek zikaltërit në renditje, një tjetër fitore ndaj vjollcëve mund ta zgjasë edhe më shumë avantazhin ndaj rivalëve, pasi të shtunën luhet Napoli-Juventus. Ky Inter nuk është i bukur për t’u parë por ecën me një marsh më shumë se gjithë të tjerët dhe për tifozët zikaltër kjo është gjëja më e rëndësishme. Mancini po kërkon të ndërtojë një skuadër si ajo shumë viteve më parë që drejtohej nga Trapattoni për të rikthyer Interin fitues.
Interi po përfiton edhe nga kriza e Juves. Shtatori katastrofik i bardhezinjve kthehet në një fakt historik. Prej 45 vitesh Juventusi nuk e kishte nisur kaq keq kampionatin. Në një retrospektivë pas në kohë, vërehet se vetëm në pesë javët e para të sezonit të largët 1970-1971 bardhezinjtë kishin bërë kaq keq sa në këtë fillim kampionati, me të njëjtin bilanc, 2 disfata, 2 barazim dhe një fitore.
Sigurisht që dëmtimet e vazhdueshme, që nisën që para kampionatit, minuan qartësitë e Allegrit, por një fillim kaq i varfër në rezultate shkon përtej mungesave, edhe pse të rëndësishme. Juventusi ka humbur siguritë e saj, me disa nga lojtarët simbol që u larguan në verë, Tevez, Pirlo dhe pastaj vendimi për shitjen e Vidal, mbrojtja e saj dikur e hekurt nuk është më e tillë, me 5 gola të pësuar në 5 ndeshjet e para të kampionatit, dhe sulmin me lojtarët e rinj që duket se janë në krizë identiteti.
Një tjetër e dhënë shqetësuese. Në këtë sezon, Juventus ende nuk ia ka dalë të fitojë një ndeshje në shtëpi. “Juventus Stadium” po kthehet në një tabu. Në kampionat ndeshja me Frosinonen ishte e treta radhazi pa fitore, disfata në debutim me Udinesen, pastaj barazimi me Chievon dhe në fund Frosinone.
Numrat e Juventusit konfirmojnë krizën, ashtu si dhe distanca prej minus 10 pikësh ndaj Interit fotografon depresionin në të cilin ka rënë skuadra e Allegrit. Pyetja që ngrihet është nëse Juventusi ka kompromentuar titullin që në shtator? Është ende shumë herët për të thënë dicka të tillë, por numrat e kampionëve të Italisë, janë shumë më tepër se një këmbanë alarmi, ashtu si dhe 10 pikët e diferencës me Interin. Një tjetër hap fals do të tingëllonte si një dorëzim i bardhezinjve dhe pikërisht për këtë arsye ndeshja e radhës në “San Paolo” me Napolin është që tani deçizive.
KOHA JONË SONDAZH

