Inter merr lajmin e keq, Lautaro mbetet 3 javë jashtë fushave
Interi merr një lajm të keq në prag të një kalendari të ngjeshur. Kapiteni Lautaro Martinez ka pësuar një dëmtim muskular në kofshën e majtë dhe pritet të qëndrojë jashtë fushave për rreth tre javë, duke i shkaktuar një mungesë të rëndësishme trajnerit Cristian Chivu.
Sulmuesi argjentinas iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore, të cilat konfirmuan problemin fizik. Dëmtimi vjen në një moment kur Lautaro ishte rikthyer në formë të mirë, pas udhëtimit në Argjentinë dhe dygolëshit të realizuar në “San Siro” në ndeshjen e Champions League.
Sipas parashikimeve fillestare, kapiteni zikaltër do të humbasë disa sfida të rëndësishme, përfshirë përballjet me Bolognën, Shakhtarin, Fiorentinën, Venezian, Milanin dhe Feyenoordin. Në dyshim mbetet edhe aktivizimi i tij ndaj Comos, më 8 nëntor.
Nëse rikuperimi ecën sipas planit, Lautaro Martinez mund të rikthehet në fushë më 22 nëntor, pas pushimit për ndeshjet e kombëtareve, në sfidën kundër Atalantës.
Mungesa e kapitenit përbën një goditje për Interin, që e pret një periudhë me ndeshje të rëndësishme në kampionat dhe në Evropë. Chivu do të duhet të gjejë alternativa në repartin ofensiv për të ruajtur rezultatet pozitive dhe për të përballuar kalendarin e ngjeshur.

