Interi bën gati 24 milionë euro mbrojtësin e Lazios
Interi është vënë në alarm pas dëmtimit të Francesco Acerbit dhe formës aspak të mirë të Stefan de Vrij. Drejtuesit zikaltër kanë vendosur të mos presin dhe synojnë të ndërhyjnë menjëherë në merkaton e janarit për të forcuar repartin defensiv, por vetëm me një profil të përshtatshëm dhe jo me një investim të momentit.
Sipas raportimeve të “Tuttosport”, objektivi kryesor është Mario Gila, mbrojtësi spanjoll i Lazios. Interi ka përcaktuar tashmë buxhetin për operacionin dimëror, i cili llogaritet mes 20 dhe 24 milionë eurove. Megjithatë, marrëveshja paraqet vështirësi të mëdha.
Lazio është e detyruar t’i japë Real Madridit 50% të të ardhurave nga shitja e ardhshme të lojtarit, çka e ndërlikon situatën. Përveç kësaj, presidenti Claudio Lotito pritet të vendosë një qëndresë të fortë, ndërsa trajneri Maurizio Sarri e konsideron Gilën si një element kyç të prapavijës.
KOHA JONË SONDAZH

