Interi i “çmendur” shkon në finalen e Champions League, fitore epike në shtesë ndaj Barcelonës
Interi është finalistja e parë e Ligës së Kampionëve 2024/2025, pas një fitoreje epike 4-3 ndaj Barcelonës në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales, të luajtur në një “San Siro” të zjarrtë.
Pas barazimit 3-3 në ndeshjen e parë, skuadra e Simone Inzaghit siguroi kalimin për në finalen e Mynihut, duke treguar karakter dhe forcë në një përballje spektakolare, të mbushur me gola dhe emocione.
Ishte kapiteni Lautaro Martinez ai që hapi serinë e golave në minutën e 21-të, duke përfituar nga një gabim në prapavijën katalanase. Në fundin e pjesës së parë, argjentinasi fiton një penallti që shndërrohet në gol nga Calhanoglu (45’+1). Megjithatë, në pjesën e dytë Barcelona përmbys gjithçka me golat e Eric Garcia (54′), Dani Olmo (60′) dhe Raphinha (87′).
Kur gjithçka dukej e mbyllur, Francesco Acerbi ringjall shpresat e Interit në minutën e 90+3, duke dërguar ndeshjen në shtesa. Aty, është Davide Frattesi që shënon golin e fitores në minutën e 99-të, duke bërë që San Siro të shpërthejë në festë.
Tani zikaltërit presin finalen e 31 majit në Allianz Arena, ku do të përballen me fituesin e çiftit PSG–Arsenal (1-0 për francezët në ndeshjen e parë). Sipas komentatorëve ishte ndeshja me e bukur dhe e zjarrtë e dy apo tre dekadave në futboll./Rozalb Lika-Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

