Interi i Contes merr formë, ky është super formacioni për sezonin e ri
Antonio Conte kur mori drejtimin e Interit në fillim të kësaj vere premtoi se do të ndërtonte një skuadër fituese. Drejtuesit i kanë besuar totalisht strategut të njohur, teksa kanë ndërtuar një ekip me futbollistët që ka zgjedhur vetë trajneri.
Deri më tani Marotta i ka plotësuar të gjitha dëshirat dhe mbetet vetëm që të mbyllë edhe operacionin për të sjellë në Milano edhe Edin Dzekon, që do të ishte edhe copa e fundit e mozaikut të lojtarëve të shkruar në listën e përforcimeve. Por cili do të jetë formacioni i Contes?
Strategu italian është i fiksuar pas vendosjes 3-5-2 dhe në këtë mënyrë do të luajë edhe me zikaltërit. Në portë do të jetë kapiteni Handanovic, i padiskutueshëm dhe me reflekset e tij garanton shumë siguri.
Mbrojtja- Skriniar ishte një nga më të spikaturit në sezonin e kaluar së bashku me De Vrij duke formuar një dyshe shumë të mirë në qendër, por këtë sezon do të kenë ndihmën e një mbrojtësi ekspert si Diego Godin. Futbollisti uruguian zgjodhi që të braktiste Atletico Madridin duke i besuar projektit të Contes.
Mesfusha– Do të jetë një repart i mbipopulluar dhe i plotësuar edhe me emra të rinj. Sensi, Barella dhe Lazaro janë risitë për këtë sezon, ndërkohë që Asamoah do të konfirmohet në krahun e majtë dhe Brozovic që do të mbetet regjisori i mesfushës.
Sulmi- Reparti më problematik deri më tani, por që me afrimin zyrtar të Romelu Lukakut, tashmë nuk do të ketë asnjë problem. Përkrah tij do të jetë Lautaro Martinez, por nuk përjashtohet mundësia e afrimit të Edin Dzekos. Icardi ka mbetur jashtë projektit të Contes së bashku me Perisic dhe me shumë mundësi do të largohen. /Rozalb Lika-Koha Jone/