Interi në vështirësi: “Senatorët” nën pritshmëritë, Kolarov flet për lodhje
“Nuk jemi në momentin tonë më të mirë, ka lodhje”. Kjo analizë e sinqertë dhe e ftohtë e Aleksandar Kolarov, në debutimin e tij si trajner i parë në stolin e Interit, pasqyron një situatë shqetësuese. Më shumë se thjesht lodhje, motori i skuadrës po funksionon në minimum, sikur të ishte në avari, duke shpresuar për një ulje emergjence për të mos rrezikuar sigurinë e “fluturimit”. Janë shifrat ato që vënë sërish në diskutim një titull kampionati që dukej i fituar: dy pikë në tri ndeshjet e fundit për një skuadër të mësuar të dominonte pothuajse të gjithë kundërshtarët, përbëjnë një alarm të ndezur; katër ndeshje pa fitore, përfshirë Kupën e Italisë, janë një frenë dore e tërhequr mbi ambiciet e ardhshme.
Chivu, i cili e ndoqi ndeshjen nga një skybox i stadiumit “Franchi” për shkak të skualifikimit, e kishte nuhatur tashmë ajrin e rënduar. Ai e ndjente rrezikun, pavarësisht rezultateve të Milanit dhe Napolit, të cilët papritur ishin rikthyer në garë. Gjatë dy javëve të fundit, duke shfrytëzuar mungesën e dhimbshme të ndeshjeve evropiane, stafi kishte organizuar një program të përforcuar të përgatitjes atletike. Megjithatë, rezultatet ende nuk janë të dukshme. Shumë lojtarë që ishin protagonistë të shkëputjes në dimër, po “thahen” në pranverë, pikërisht kur vendosen fatet e skuadrave të forta: Zielinski dhe Dimarco, për shembull, do të kishin nevojë për pak pushim. Por mbi të gjitha, po mungojnë liderët, të cilëve pikërisht të shtunën Chivu u kërkoi “të merrnin përgjegjësitë për të dhënë një kontribut në skuadër”.
Nicolò Barella ka qenë vendimtar si në aspektin pozitiv, ashtu edhe në atë negativ, duke regjistruar asistin e shtatë të kampionatit të tij dhe të pesëdhjetin në Serie A, por edhe duke i dhuruar Fagiolit topin nga i cili lindi goli i barazimit.
Por rasti më serioz mbetet ai i Marcus Thuram. Gjatë muajit të fundit, në vend që të merrte nga Lautaro trashëgiminë e lojtarit frymëzues, ai është “fjetur” nën hijen e Pio Esposito. Nuk janë aq shumë tre golat e shënuar në vitin 2026 që e vendosin atë në listën e lojtarëve të padisponueshëm, dhe në perspektivë të atyre që mund të shiten. Është mbi të gjitha niveli i performancave, pothuajse gjithmonë nën pritshmëritë, ai që ushqen reflektimet brenda klubit. Është e vërtetë që Thuram u zëvendësua kur Interi ishte në avantazh 1-0. Por është gjithashtu e vërtetë që kontributi i tij kundër Fiorentinës ishte shumë i dobët. Sërish e njëjta histori. Ai do të meritonte disa ndeshje në stol, nëse nuk do të ishte fakti që Bonny, edhe një herë, ka treguar se është gjithashtu jashtë forme.
Si të ndërhyhet tani për të shmangur kolapsin? Pushimi ndërkombëtar nuk ndihmon, pasi kombëtaret i marrin Chivut një pjesë të madhe të grupit. Shpresa e Interit është që rikthimi i Lautaros, në të Dielën e Pashkëve kundër Romës, të mund të ndryshojë trendin negativ: në gjashtë ndeshjet e fundit, Interi ka shënuar më shumë se një gol vetëm një herë (kundër Genoas, goli i dytë nga penalltia). Dhe kapiteni, rastësisht, nuk ishte aty. Edhe për këtë arsye, skuadra po përpiqet të menaxhojë rezultatet, siç kishte ndodhur tashmë kundër Atalantës, duke shmangur rreziqet. Pa energji, pa Lautaro Martinez, skuadra nuk arrin të prodhojë më shumë.
Marrë nga La Gazzetta dello Sport
KOHA JONË SONDAZH

