Interi parakalon Napolin, “prenoton” Kumbullën për në verë
Nga fusha e blertë në merkato. Inter dhe Napoli tashmë e zhvendosin duelin në transferimin e futbollistëve. Ata që buzëqeshin në këtë rast duket se do të jenë sërish zikaltërit, që janë pranë transferimit të Marash Kumbulla-s.
Mbrojtësi i kombëtares, i cili luan te skuadra e Hellas Veronës është një objektiv konkret për skuadrën e Contes. Në 12 ndeshje ai ka shënuar edhe një gol, ndërkohë që prej kohësh është edhe në listën e dëshirave të Napolit.
Sipas “Sky Sport”, klubi milanez ka vendosur që të bëjë lëvizjen vendimtare për të fituar konkurrencën dhe për të siguruar talentin shkodran për në qershor. Drejtuesit e Interit kanë vendosur të transferojnë që në janar në Verona Federico Dimarcon, për të prenotuar afrimin e Kumbullës në verë.
Kumbulla ka zhvilluar ndeshje shumë të mira këtë sezon duke tërhequr vëmendjen e disa skuadrave italiane si Juventusi, Lazio dhe Napoli, por deri më tani Interi ka bërë lëvizjet më konkrete, duke qenë më pranë transferimit të tij. Napoli ndërkohë duket se ka siguruar kartonin e Rrahmanit dhe Amrabat. /R.Lika-Koha Jone/