Interi shpallet kampione dimri në Seria A, ekipi i Chivu favorite për titullin
Fitorja kundër Parmës dhe ndalesa e Milanit kanë riformatuar renditjen e Serie A, duke dhënë pothuajse një verdikt për gjysmën e parë të sezonit. Interi është tashmë virtualisht “Kampion i Dimrit” për edicionin 2025/26. Edhe pse si zikaltërit ashtu edhe kuqezinjtë kanë ende nga një ndeshje për ta rikuperuar, për shkak të angazhimeve në Superkupën e Italisë në dhjetor, në praktikë mungon vetëm zyrtarizimi.
Aktualisht, Interi ka një avantazh prej 3 pikësh ndaj Milanit. Për të mbyllur zyrtarisht fazën e parë të kampionatit, skuadra e drejtuar nga Cristian Chivu do të presë Lecce-n të mërkurën në “San Siro”, ndërsa Milani i Massimiliano Allegrit do të luajë të nesërmen në transfertë ndaj Comos. Kjo fundjavë, ndërkohë, shënon nisjen e fazës së dytë të kampionatit.
Edhe në skenarin ekstrem ku Interi humbet dhe Milani fiton, duke i barazuar pikët, zikaltërit mbeten të favorizuar falë diferencës së golave, ku aktualisht kanë një avantazh të ndjeshëm prej +10, faktor vendimtar në rast barazimi pikësh.
Megjithatë, për titullin simbolik të “Kampionit të Dimrit” vlejnë vetëm pikët e grumbulluara në 19 javët e para sipas kalendarit zyrtar. Në këtë kontekst, gjithçka duket se është gati për t’i dhënë zikaltërve kryesimin simbolik të dimrit, duke konfirmuar një gjysmë sezoni shumë pozitiv për skuadrën e Chivu.
KOHA JONË SONDAZH

