Interi zhgënjen sërish në Evropë, humbje e rëndë ndaj Atleticos pas derbit
Pas humbjes në derbi, për Interin vjen një tjetër goditje e fortë edhe në Europë. Skuadra zikaltër u mposht në “Metropolitano” nga Atletico Madrid, duke pësuar kështu disfatën e parë në këtë edicion të Champions League. Ashtu si kundër Milanit, Interi zhvilloi një ndeshje të mirë në aspektin e lojës, krijoi më shumë raste se kundërshtari, por mungesa e cinizmit në sulm dhe disa gabime të ashpra i kushtuan shtrenjtë ekipit të trajnerit Chivu.
Një humbje që dhemb, sepse është e pamerituar, por që tregon se problemet po përsëriten. Goli i parë i Atleticos ishte pothuajse kopja e atij të pësuar në derbi: Calhanoglu humbi topin në mesfushë dhe skuadra u ndëshkua me një kundërsulm vdekjeprurës. Ndërsa rrjeta vendimtare e Gimenez, e ardhur në minutat e fundit, lindi nga një mungesë totale përqendrimi, duke e lënë mbrojtësin uruguaian krejt të lirë brenda zonës, një gabim i pafalshëm duke ditur aftësitë e tij në ajër.
Trajnerët e quajnë Champions-in “kupën e detajeve”, dhe pikërisht detajet po e fundosin Interin. Simeone ndryshoi ndeshjen me futjet nga stoli, ndërsa Chivu nuk pati të njëjtin ndikim. Ekipi luan bukur kur e kontrollon lojën, por ka zakonin e rrezikshëm të tërhiqet dhe të humbasë intensitetin, duke u ndëshkuar rregullisht.
Mungesa e Dumfries po ndihet shumë. Carlos Augusto sërish pati vështirësi të mëdha në krahun e djathtë, ndërsa aktivizimi surprizues i Luis Henrique pas ndeshjeve të dobëta nuk dha rezultat. Edhe një hyrje e De Vrij mund të kishte sjellë më shumë centimetra dhe përvojë në një fund ndeshjeje që rezultoi fatal.
Një tjetër çështje është forma e Lautaro Martinez. Kapiteni nuk bëhet kurrë problem për Interin, por në këtë periudhë nuk po shfaq vlerën e zakonshme. Si në derbi, edhe në Madrid ai pati një tjetër mbrëmje të vështirë, duke mos arritur të jetë vendimtar. Bonny po tregon vazhdimësi dhe Thuram po rigjen formën, por golat duhet të kthehen sa më shpejt.
Nëse Interi nuk punon mbi këto disavantazhe dhe mbi mungesën e përqendrimit, sezoni rrezikon të përfundojë pa trofe, pavarësisht cilësisë që skuadra ka treguar me topin në këmbë.
KOHA JONË SONDAZH

