Ish-futbollisti zviceran mbron Xhakën: Duhet të vazhdojë të jetë kapiten!
Granit Xhaka është përfshirë ditët e fundit në një situatë të diskutuar në Zvicër, pas hetimeve lidhur me certifikatën e vaksinimit ndaj COVID-19. Mesfushori shqiptar pranoi se kishte blerë një certifikatë të tillë, ndërsa pas një marrëveshjeje me Federatën Zvicerane të Futbollit, u vendos që ai të mos jetë pjesë e skuadrës në ndeshjet e Ligës së Kombeve.
Megjithatë, Xhaka ka marrë edhe mbështetje publike. Ish-futbollisti i kombëtares zvicerane, Benjamin Huggel, ka deklaruar se mesfushori duhet të vazhdojë ta mbajë shiritin e kapitenit, nëse çështja nuk sjell pasoja të tjera ligjore apo sportive.
Në një intervistë për “Neue Zürcher Zeitung”, Huggel u pyet nëse Xhaka duhet të mbetet kapiten i Zvicrës.
“Nëse nuk ka pasoja të tjera juridiko-sportive dhe çështja trajtohet ligjërisht si e mbyllur në planin penal, përgjigjja ime është qartë: po”, u shpreh Huggel.
Ai theksoi se vendimi për kapitenin duhet të merret nga trajneri dhe skuadra, e jo nga opinioni publik.
“Kapiteni caktohet nga skuadra dhe nga trajneri, jo nga opinioni publik. Nëse trajneri i kombëtares, Murat Yakin, dhe këshilli i skuadrës, pas një bisede të sinqertë dhe të hapur, arrijnë në përfundimin se Xhaka duhet të vazhdojë të jetë kapiteni i tyre, unë nuk shoh asgjë që mund ta pengojë këtë”, deklaroi ish-lojtari zviceran.
Huggel gjithashtu bëri dallimin mes çështjes jashtë fushës dhe rolit që Xhaka ka në ekip gjatë ndeshjeve.
“Për mua, një certifikatë e falsifikuar e COVID-it nuk do të ishte në asnjë mënyrë arsye për të mos i besuar më si kapiten në fushë. Falsifikimi i pretenduar i dokumentit nuk ka asnjë lidhje me sjelljen e Xhakës në fushë”, përfundoi ai.


