Ish-kapiteni Agolli: Politika e ka kaluar linjën e kuqe, situatë e rrezikshme për sportin

Ish-kapiteni i ekipit Kombëtar, Ansi Agolli, ka reaguar për zgjedhjet e kreut të FSHF që do të zhvillohen më 2 mars. Në një lidhje të drejtpërdrejt për emisionin “Sport Magazinë” në Ora News, Agolli tha se situata e krijuar i duket joreale, ndërsa shton se është shumë e rrezikshme për futbollin.

“Ka kohë që politika tenton të përfshihet në sport. Edhe në zgjedhjet e shkuara ka qenë e njëjta gjë, por në krahasim me këtë herë ka marrë  në dimension tjetër, një dimension mjaft të rrezikshëm. E ka kaluar linjën e kuqe. Ofendohen ish-futbollistë, ish-trajnera, ka presione. Më duket situatë jo reale. Është një gjë shumë e rrezikshme për sportin”.

Ndër të tjera ai kujtoi dhe rastin kur ekipi i Kombëtares u kthye në Tiranë pas ndeshjes me Rumaninë.

“Kur kam dëgjuar këtë deklaratë, mu kujtua që pas ndeshjes me Rumaninë, ndalesa jonë e parë kur u kthyem në Tiranë,  ishte te Bashkia. U shtrua një tapetë i kuq. Veliaj mbajti një fjalim 45 minuta. 35 minuta ishin arritjet e FSHF me në krye Dukën dhe 10 minuta u fol për skuadrën. Është i njëjti njeri që para pak kohësh e çoni Dukën në Jupiter. Fliste me fjalë magjike”, deklaroi Agolli.

 

SHKARKO APP