
Një tjetër talent i futbollit shqiptar ka vendosur të përfaqësojë Kosovën. Bëhet fjalë për Lutfi Dalipin, i cili tashmë ka zgjedhur zyrtarisht fanellën dardane, duke i dhënë fund garës mes dy federatave për ta bindur të luajë në nivel përfaqësuesesh.
Edhe pse një javë më parë ishte përfolur se Dalipi do të zgjidhte Shqipërinë, situata ka marrë një tjetër drejtim. Federata e Futbollit të Kosovës ka arritur ta bindë futbollistin, duke siguruar shërbimet e një tjetër elementi me perspektivë për të ardhmen.
Sinjalet për këtë zgjedhje ishin dhënë edhe më herët nga trajneri i Kosovës, Franco Foda, i cili kishte deklaruar se po e prisnin Dalipin në përfaqësuesen dardane. Ndërkohë, FFK publikoi edhe një postim në rrjetet sociale në momentin kur Shqipëria po luante ndaj Finlandës, duke konfirmuar zhvillimet rreth futbollistit.
Në këtë histori, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, duket se ka lëvizur në kohën e duhur për të siguruar afrimin e talentit. Dalipi ishte pjesë e përfaqësueses U-21 të Zvicrës, ndërsa në shtetin helvetik kishte pasur shqetësime për interesimin e Shqipërisë. Megjithatë, në fund ishte Kosova ajo që arriti të bindte lojtarin për të ardhmen e tij ndërkombëtare.
Për FSHF-në, ky është një tjetër rast kur një futbollist me potencial zgjedh Kosovën. Më herët, edhe Enis Rexhepi ishte larguar nga moshat e Shqipërisë për t’iu bashkuar përfaqësueses së Kosovës. Ndërkohë, në fushën e lojës, Shqipëria regjistroi një fitore 2-0 ndaj Finlandës, duke ruajtur vendin e parë në grupin C1 të Ligës së Kombeve.
