Ismajli sërish në merkato, e kërkon skuadra bardhezi
E ardhmja e Ardian Ismajlit mund të jetë larg Torinos. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare është futur në radarët e Udineses, e cila po kërkon të përforcojë repartin defensiv me një lojtar me eksperiencë.
Sipas raportimeve nga mediat italiane, klubi friulan e sheh Ismajlin si një profil të përshtatshëm për skuadrën e drejtuar nga Kosta Runjaiç. Trajneri kërkon më shumë alternativa dhe siguri në qendër të mbrojtjes, ndërsa shqiptari mund të jetë një opsion i rëndësishëm.
Ismajli është aktualisht pjesë e Torinos, por konkurrenca në repartin defensiv është rritur ndjeshëm. Afrimet e Comuzzos dhe Comertit, së bashku me vazhdimin e bashkëpunimit me Cocon, kanë bërë që mbrojtësi shqiptar të mos jetë një zgjedhje e padiskutueshme për formacionin titullar.
Në këtë situatë, një transferim te Udinese mund t’i ofrojë Ismajlit më shumë hapësira për të luajtur. Klubi friulan aktualisht ka në dispozicion Bertolën dhe Palmën për pozicionin e qendërmbrojtësit të djathtë, por profili dhe eksperienca e Ismajlit do t’i jepnin Runjaiçit një alternativë më të konsoliduar.
Për 30-vjeçarin, kalimi te Udinese mund të jetë një mundësi për të rikthyer një rol më të rëndësishëm në nivel klubesh dhe për të siguruar më shumë minuta në fushë.
KOHA JONË SONDAZH

