Ja si po “rilind” Seria A!

 

Seria A, dikur kampionati më i bukur në botë, me përqendrimin më të madh të kampionëve të këtij sporti: Maradona, Ziko e Platini në vitet ’80; Van Basten, Ronaldo (Fenomeni) dhe Zidan në vitet ’90. S

Por papritur Seria A u “varros” nga Premier Liga angleze për faturat e shpenzimeve dhe për xhiron e çmendur të milionave që ofron. Stadiumet e saj janë shpesh gjysmë të mbushur, por mbi të gjitha janë aq të shëmtuar estetikisht, sa të ndjellin trishtim. Gjithsesi, kushdo që kërkon të ushtrojë profesionin e trajnerit duhet të bëjë një xhiro në Itali, ose të shohë nga Italia, sepse Seria A mbetet një laborator fantastik tekniko-taktik, më i miri në botë ende sot e kësaj dite, ose të paktën kështu besohet. Sezoni i sivjetshëm ofron një mori me optimizëm, duke qenë se skuadrat e bazuara te ndërtimi i një loje të bukur, sulmuese dhe te një organizim strikt, janë shtuar së shumti.

Swiss Digital Desktop Reklama

Dhe nuk po flasim vetëm për Napolin ose Fiorentinën, të cilat e vënë më në dukje se kushdo tjetër këtë. Përmbysim renditjen duke parë nga poshtë-lart, duke kërkuar përgjigjen e pyetjes sesi ka mundësi që Empoli dhe Frozinone, të cilat në muajin gusht dukeshin dy skuadra të destinuara për të zbritur pa kushte në Serinë B, sot janë mbi vijën e verdhë, atë që të dërgon një kategori më poshtë. Përgjigjja është e thjeshtë: kanë dy trajnerë shumë të zotë, Xhampaolon dhe Stelonen, të cilët dinë ta “mbysin” me udhëzime të një loje sulmuese talentin e pakët (pa ofenduar njeri) që mund të kenë futbollistët në dispozicion të tyre. Pas daljes nga “diktatura juventine” e tre sezoneve të fundit (në vitin e parë të Kontes pati luftë të ashpër me Milanin), Seria A e sotme është shndërruar një kampionat i hapur, ku mbizotërojnë dy lloje “shpirtrash”: nga njëra anë, janë estetistët, ata që ushqejnë kulturën e lojës së bukur, dhe, nga ana tjetër, “luftëtarët”, shpërndarësit e një futbolli më fizik, ku ajo që mbizotëron është përdorimi i forcës, i muskujve, kundrejt teknikës. Por në mes ka edhe shumë artizanë, tipi i Rejës tek Atalanta ose i Venturës te Torino.

Swiss Digital Mobile Reklama

Estetistët Më estetisti i të gjithëve duket Paulo Souza i Fiorentinës dhe primati i vjollcëve në renditjen e zotërimit të topit (63 për qind mesatarisht në ndeshje) konfirmon logjikën. Fiorentina e sotme është po aq e bukur, sa qyteti që përfaqëson, por pikërisht ky shkëlqim rrezikon të të çojë edhe në vetëvrasje. E thënë më shkurtimisht, shumë të bukur për të fituar… Mauricio Sarri në Napoli është një hap më përpara, duke qenë se bukurisë së lojës i ka bashkuar efikasitetin në sulm, operacion i shpejtuar edhe nga fakti se te Napoli ligjin e bën Higuaini. Limiti i Napolit duket të jetë pankina. Zëvendësimet në pjesën më të madhe nuk janë në nivelin e titullarëve. Në minutat e fundit kundër Interit, Sarri hedh në fushë Lopezin dhe Maxhon dhe papritur, përpara Reinës, nis përmbysja. Natyrisht që titulli i tretë i historisë së këtij klubi mund të synohet edhe kështu si janë, me pakt që në janar presidenti De Laurentis t’i shtojë këtij grupi dy blerje të mëdha. Kalojmë te Sasuolo… Euzebio Di Françesko duket një sozi e Zdenek Zemanit. Në këtë skuadër nuk ka vend për lëvizje, ose topa që pasohen rastësisht. Aty gjithçka është e koduar, me përjashtim të “bëmave” karakteriale të Berardit, të paparashikueshme, ashtu sikurse edhe këmbët e tij.

Luftëtarët Nëse Roberto Mançini si futbollist do të kishte treguar në fushë të njëjtin temperament të fortë si Interi i tij në “San Paolo”, do të kishte qenë një “Mesi” përpara Lionel Mesit. Është shumë kurioz fakti sesi një ishnumër 10 i klasit të Manços të ideojë një futboll aq muskulor. Loja spektakolare as që i tundon minimalisht idetë e Interit, që në “San Paolo” rikthyen në kujtesë Interin e Murinjos në “Kamp Nou”, në vitin 2010, kur zikaltrit arritën të kualifikohen, pavarësisht disavantazhit numerik, pas kartonit të kuq të Motës. Humbje si ajo kundër Napolit tregojnë se baza është e mirë dhe se me të mund të shkohet larg. Por ka edhe probleme, ku numri 1 është Ikardi. Shumë nga shanset për titull varen edhe nga ringjallja e golashënuesit më të mirë të sezonit të kaluar, prandaj këtu ka jo pak për të punuar. Për t’u ngjitur në renditje, Juventusit i duhej të rikuperonte shpirtin e tij luftarak.

Maks Alegri ka hequr dorë nga utopia për të luajtur me një fantazist prapa sulmit, por ka nxjerrë nga “dollapi” 3-5-2 e pluhurosur, me Barzaljin si titullar. “Adoleshenti” 34-vjeçar jo vetëm po tregon se i mbajnë ende gjunjët, por ka stabilizuar edhe paraqitjet konfuze të Bonuçit e Kielinit, në mbrojtjet juventine me 4 lojtarë. Në sulm, Manxukiç është bërë deciziv. Me centimetrat dhe egërsinë e tij, ai ka ulur në stol “të bukurin” Morata, me të vetmin Dibala, që duket se ka një “pamje” më të këndshme se të tjerët. Prandaj, me këtë Juventus në versionin “kombat” asnjë në grupin e skuadrave kryesuese nuk mund ta bëjë gjumin e qetë.

Subjekte të humbura Në apelin e këtij kampionati mungon qyteti i Romës. Lacio po jeton mes turbullirave, por dihej se sivjet do të kishte qenë e lehtë për të përsëritur vendin e tretë. Misteri i madh i sivjetshëm është Roma, që në teori kishte (ka) gjithçka për të asimiluar dy “shpirtrat” që kërkohen për të synuar kampionatin. Roma është “estetiste” me Pjaniçin dhe “luftarake” me Naingolanin, binomi i një mesfushë që në letër duket perfekte, ndonëse skuadra nuk po lëviz më, përkundrazi po rrihet keq, si nga Barcelona në Champions, apo edhe nga Atalanta në Serinë A. Një enigmë! Në teori, Roma ka në dispozicion grupin më të kompletuar, por, ndoshta, defekti është asimilimi i kë- tyre karakteristikave në 11-shen titullare nga ana e trajnerit. Natyrisht që kampionati ka ende shumë javë, prandaj me vetëm 4 pikë nga kreu, Roma nuk ka dalë jashtë loje, ndonëse këtë do e konfirmojë ndeshja e 13 dhjetorit, Napoli-Roma, një 90-minutësh që jo vetëm mund t’i pastrojë shikimin skuadrës, por ndoshta edhe të ardhmen e trajnerit Rudi Garsia.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?