James Adeniyi për sulmin e Partizanit, e konfirmon trajneri Duro

Partizanit i duhen ende përforcime, që pjesën e dytë të këtij edicioni ta nis si pretendent apo favorit kryesor për titullin e munguar kampion.  Sulmuesi i Laçit, James Adeniyi, 22 vjeç, nga Nigeria, është objektivi kryesor i merkatos së janarit, teksa ky emër zbulohet nga trajneri Shpëtim Duro. – “Kam kërkuar James të Laçit, por ai është nën kontratë me këtë skuadër. Kërkesën ia kam bërë presidentit Demi, i cili është në bisedime me presidentin e Laçit dhe nëse gjendet gjuha e përbashkët, do të më pëlqente një afrim i tillë,” – thotë trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro. Më tej, trajneri i Partizanit thekson se jo çdokush mund t’i bashkohet ekipit të tij, në merkato, pasi tek të kuqtë ka vend vetëm për elementë cilësorë dhe që janë në një nivel më lart se lojtarët që ai ka aktualisht në stërvitje.  – “Nuk dua futbollistë që kanë dy vjet pa luajtur dhe kërkojnë të vijnë te Partizani, me pretendimin se  kanë luajtur përpara 15 vitesh me Portugalinë”. Sakaq, Partizani po vijon me intensitet përgatitjet e dimrit. Pas miqësores me Lushnjën, “Demat e Kuq” zhvilluan sot në Pezë Helmës një miqësore tjetër me Mamurrasin, një ndër ekipet më të mira në Kategorinë e Parë. Partizani fitoi 3-0, me gola të serbit Raçiç, që realizoi me anë të një 11-metërshi në pjesën e parë, si dhe me dy gola të Vatnikaj, në pjesën e dytë. –“Nuk ka shumë rëndësi rezultati, në miqësore.  E rëndësishme është që këto ndeshje na kanë shërbyer që unë të krijoj një ide të veçantë për ekipin,” – vijoi Duro.  Futbollisti 19-vjeçar, Jurgen Vatnikaj, u aktivizua vetëm pak minuta përpara fundit të miqësores, duke shënuar dy gola. Talenti i afruar në ekip nga vetë trajneri Duro, mori përgëzimet e këtij të fundit.  – “Vatnikaj është afruar nga ana ime tek Partizani. Ai është një lojtar me perspektivë por duhet të bëjë durim, sepse do ta ketë edhe ai kohën të luajë ndeshje zyrtare. Tek Partizani nuk ka lojtarë të veçantë, por vlen grupi.” Kësisoj, teksa të kuqtë po përgatiten në kryeqytet për fazën e dytë të Kategorisë Superiore, presidenti Gaz Demi nga ana tjetër, përveç bisedimeve me drejtuesit e Laçit për të fituar shërbimet e James, mësohet se është në kontakte edhe me dy lojtarë të tjerë cilësorë. Jahmir Hyka nuk e ka përjashtuar mundësinë e një rikthimi të mundshëm në radhët e Partizanit, të cilit i është bërë oferta disa kohë më parë. Gjithsesi, për trajnerin Duro, edhe me këtë grup që drejton aktualisht, objektivi për fitimin e titullit kampion është i arritshëm. Garancia vjen nga mbrojtja dhe porta, duke qenë se në katër miqësore të luajtura deri tani, Partizani nuk e ka nxjerrë ende asnjëherë topin nga rrjeta.     

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?