“Japonia mund të bëjë surprizën ndaj Brazilit”, Mirela Haxhiaj bën parashikimin e bujshëm

Në emisionin “Koha e Botërorit”, të moderuar nga gazetari Rozalb Lika, gazetarja sportive Mirela Haxhiaj ndau analizën e saj mbi përballjen mes Japonisë dhe Brazilit, duke vlerësuar organizimin dhe kohezionin e skuadrës aziatike përballë individualiteteve të përfaqësueses braziliane.

Haxhiaj u shpreh se nuk është domosdoshmërisht tifoze e Brazilit dhe se e sheh Japoninë si një ekip që prej vitesh ka ndërtuar një identitet të qartë loje.

“Sot më pëlqen më shumë grupi i Japonisë. Është një skuadër e konsoliduar, ku të gjithë funksionojnë si një. Nuk është thjesht çështje fame apo emrash të mëdhenj, por mënyra se si luajnë së bashku dhe si mbështesin njëri-tjetrin në çdo repart të fushës”, deklaroi ajo.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sipas gazetares, Japonia paraqitet si një ekip kompakt dhe i organizuar, ndryshe nga Brazili që mbështetet më shumë te cilësitë individuale të futbollistëve të tij.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Japonia nuk ka një yll si Vinicius apo figurën që ka përfaqësuar Neymar për Brazilin ndër vite, por ka një forcë kolektive që e bën shumë të rrezikshme. Duket sikur të gjithë janë në të njëjtin nivel dhe punojnë për objektivin e përbashkët”, theksoi Haxhiaj.

Ajo kujtoi gjithashtu paraqitjen e japonezëve në Kupën e Botës 2022, ku eliminuan Gjermaninë që në fazën e grupeve, duke dëshmuar se janë një skuadër që di të surprizojë kundërshtarët më të fortë.

“Mos harrojmë se vetëm një Botëror më parë Japonia arriti të përjashtonte Gjermaninë nga faza e grupeve. Është një ekip që prej vitesh po ndërton vazhdimësi dhe ka treguar se mund të përballet pa komplekse me emrat më të mëdhenj të futbollit botëror”, u shpreh ajo.

Duke analizuar Brazilin, Haxhiaj vlerësoi se skuadra e drejtuar nga trajneri italian Carlo Ancelotti do të përballet me një test të rëndësishëm.

“Në këndvështrimin tim, Brazili tani vihet realisht në provë. Prova e parë ndaj Marokut nuk ishte bindëse. Brazili vuajti shumë dhe personalisht nuk mbeta e kënaqur nga paraqitja e një skuadre që pretendon të na dhurojë futboll spektakolar. Madje, në shumë momente Maroku e dominoi lojën.

Tani vjen prova e vërtetë. Ançeloti duhet të gjejë sërish çelësin e suksesit, ashtu siç ka bërë gjatë gjithë karrierës së tij në ndeshjet me eliminim direkt. Japonia ka potencialin për të bërë mrekullinë dhe, në disa aspekte, më duket se mund t’i hapë më shumë probleme Brazilit sesa Brazili Japonisë”, përfundoi Mirela Haxhiaj.

Linku i emisionit: https://www.youtube.com/watch?v=B3QF5CD0S20

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?