Java e 11-të, ndalet Partizani, “estradë” në Pukë

Mbyllet pa gola ndeshja mes Partizanit dhe Flamurtarit në Vlorë. Barazim që favorizon Skënderbeun, pasi në rast fitoreje në ndeshjen e nesërme ndaj Kukësit afrohet një pikë larg kreut. Të kuqtë shpërdoruan raste dhe patën mundësi të fitonin, por takimi në Vlorë mbyllet pa gola. Në 11 javë të Kategorisë Superiore, edhe Tirana, që luan nesër, kërkon fitoren e tretë radhazi që të afrohet me kryesuesit. Sot u zhvilluan edhe dy ndeshje të tjera, ku Vllaznia pësoi një humbje shokuese që e zhyt në krizë. Për ndeshjen mes Tërbunit dhe Bylis, që u zhvillua në Pukë, nuk flitet për futboll por për “estradë”.     

Tërbuni

Përballja ndërmjet Tërbunit dhe Bylisit duhej të ishte një betejë për mbijetesën në elitë, por nga pamjet televizive u kthye në një “estradë”.  Tërbuni fitoi me rezultatin 4-2, në një ndeshje ku golat janë shënuar me aq lehtësi, sa ishte e pashmangshme të ngrihen dyshime për impenjimin e skuadrave dhe rregullsinë e vetë lojës. Në 12’ Gerald Tushe fare i pambuluar në zonë realizoi për Tërbunin. Aktrimi vijoi pas disa rasteve të vetëm me portierin, kur vendasit dyfishuan shifrat në të 40-ën me Vatnikajn. Përpara pushimit mes pjesëve, sulmuesi i huazuar nga Partizani realizoi edhe golin e tretë për pukjanët dhe të dytin personal.  Estrada vijoi edhe në fraksionin e dytë.  Në të 53-ën, Brunild Pepa shkurtoi shifrat në 3-1 për Bylisin, por ndodhi kështu sepse që të jepet ideja se mallakastriotët rihapën sfidën. Aktrimi i turpshëm u shoqërua me kontestimin e tifozëve, por ekipet vazhduan të pashqetësuar. Dhe Bylisi i hapi portën Tërbunit, që në të 80-ën realizoi golin e katërt me Taulant Markun. Pukjanët u kthyen nderin miqve vetëm katër minuta më pas, dhe Papa vulosi shifrat përfundimtare 4-2.

Swiss Digital Desktop Reklama

 Vllaznia

Swiss Digital Mobile Reklama

Teuta merr tre pikë në Shkodër dhe zhyt Vllazninë në krizë. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, por në fraksionin e dytë në 54’, Teuta fitoi një 11-metërsh pas rrëzimit në zonë të Shakllës. Gjyqtari Sadiku ndëshkon me karton të verdhë tre futbollistë të Vllazninë për protesta. Goditjen nga pika e bardhë e mori përsipër Hodo, kurse portieri Dragojeviç që nuk i kupton as krahun futbollistit durrsak. Goli i shënuar i dha qetësi skuadrës durrsake, ndërsa kuqeblutë ishin të paqartë në fazën sulmuese. Vllaznia ishte e pafat në 86’, kur goditja me kokë e Paviceviç u devijua vështirësi nga Moçka. Me këtë humbje Vllaznia e komplikon edhe më shumë situatën në renditje, pasi kjo disfatë e zbret në vendin e fundit, me vetëm 5 pikë në 11 ndeshje.

 

Kategoria Superiore

18 nëntor 2015 – Sot

Tërbuni-Bylis                   4-2

Vllaznia-Teuta                 0-1

Flamurtari-Partizani        0-0

19 nëntor 2015

Tirana    14:00     Laçi

Kukësi   14:00     Skënderbeu

 

Klasifikimi

Partizani              29

Skënderbeu        25

Teuta                  20

Kukësi                17

Tirana                 16

Laçi                    11

Flamurtari          10

Tërbuni               7

Bylis                    6

Vllaznia               5

 

Flamurtari – Partizani 0­0

Flamurtari:Halilaj, Idrizaj, Fustar, Pashaj, Popkadze, Kuqi, Lena (Shehaj 86’), Morina (Greca 72’), Nexhipi (Bregu 90’), Hoxha, Tskhadadze. Zv/trajner: Gentian Mezani.

Partizani:Hoxha, Ibrahimi, Bicaj, Krasniqi, Fejzullahu, Robles (Bardhi 69’), Trashi, Batha, Fazliu (Morini 83’), Sukaj (Raçiç 77’), Mazrekaj. Trajner: Sulejman Starova.

Gjyqtarë: Ermijon Sino, Ilir Tartari, Orgest Grabova, Kreshnik Cjapi.

Kartonë të verdhë:Lena, Nexhipi, Tskhadadze, Greca / Ibrahimi, Raçiç

 

Sulejman Starova: Nuk shënuam, arsyeja pse nuk fituam

Partizani nuk arriti të merrte dot maksimumin e pikëve duke barazuar 0-0 me Flamurtarin në Vlorë.. Për herë të parë në këtë sezon të kuqtë nuk gjetën dot rrugën e rrjetës duke e ndalur në 9-të ecurinë e fitoreve radhazi. Trajneri i Partizanit, Sulejman Starova, tha se skuadrës së tij i mungoi saktësia përpara portës dhe pasimi i fundit në sfidën ndaj Flamurtarit. – “Nuk shënuam dhe kjo është edhe arsyeja që nuk fituam ndeshjen. Krijuam raste dhe u munduam të zhbllokonim rezultatin, duke krijuar më shumë volum loje gjatë gjithë kohës, por kishim edhe rrezikun që mund të ndëshkoheshim nga Flamurtari që kundërsulmonte rrezikshëm. Nuk jemi të kënaqur sepse kishim ardhur në Vlorë për ta fituar ndeshjen.”

Gentian Mazani: Shpresoj, kjo të jetë ndeshja e kthesës

Gentian Mezani, trajnerin e përkohshëm i Flamurtarit, tha se barazimi ndaj Partizanit mund t’u shërbejë si një pikë kthese vlonjateve. – “Shpresoj që kjo të jetë një pikë kthese, Flamurtari i ka forcat jo për t’i marrë vetëm një barazim Partizanit por edhe për t’i mundur të Kuqtë dhe të gjitha ekipet pretendente të Superiores. Kemi në skuadër shumë lojtarë cilësorë dhe i kemi mundësitë për të fituar ndaj të gjithë kundërshtarëve. Kam besim se skuadra do të vijë në rritje”. Mezani deklaroi se deri në dhjetor ai do të jetë ai trajneri i parë i skuadrës, ndërsa më pas do të jenë drejtuesit ata që do të vendosin.

 

Gugash Magani: Aspak e lehtë të fitoje ndaj Vllaznisë!

Në stadiumin Reshit Rusi të Shkodrës, Teuta falë suksesit 0-1 ndaj Vllaznisë regjistroi fitoren 6-të në 11 javë kampionat duke u konfirmuar si surpriza e këtij sezoni në kategorinë Superiore. Gugash Magani vlerësoi suksesin e “djemve të detit”  por ndërkohë nënvizoi se Teuta ka ende për tu përmirësuar. “Mendoj se kishim një ndeshje të vështirë, përballë një skuadre që luante për herë të parë përpara publikut të saj. E kishim përgatitur mirë këtë ndeshje, dhe të fitoje përballë Vllaznisë nuk ishte aspak e lehtë. Besoj se kemi arritur një rezultat shumë të rëndësishëm. Duhet të përmirësohemi disi përpara portës sepse gabojmë shumë raste.”

 

Armir Grima: Vllazia duhet të ketë  një president

Trajneri i përkohshëm i Vllaznisë, Armir Grima,  theksoi pas ndeshjes se pret më shumë nga lojtarët me eksperiencë që ka aktualisht në dispozicion.  “Faktikisht kjo është reale, ne presim që lojtarët me provojë të marrin ekipin për dore, por sot u mundëm nga disa djem të rinj që mundohen të bëjnë më të mirën sa herë zbresin në fushë. Futbollistët me eksperiencë duhet të bëjnë më shumë që skuadra jonë tu kthehet rezultateve pozitive,” – shtoi ai. Vendi i fundit në kampionat nuk i shkon aspak përshtat një emri të madh si Vllaznia. – “Kjo është fatkeqësi e Vllaznisë. Klubi ynë duhet të ketë një president që kjo fanellë të mos bëhet kaq e lehtë dhe ta veshë çdo futbollist. Na mungon një sponsor dhe mbi të gjitha një president”.

 

Maringlen Kule: Një ndeshje e turpshme për tu harruar

Ndeshja e zhvilluar në Pukë, u konsiderua e turpshme për futbollin shqiptar, por edhe trajnerët folën sikur nuk ndodhi asgjë. Zv. trajneri i Bylis, Mariglen Kule theksoi se: “Nuk e prisnim një ndeshje të tillë, dhe nuk e di se çfarë të thuash. Fjalët janë të tepërta. Do të bëjmë një analizë të thellë pas kësaj ndeshje.” Ai pranoi se: – “Thjesht ishte një ndeshje shumë e dobët, nuk i vë faj asnjë prej lojtarëve të mi. Ishte një ndeshje shumë e turpshme e ekipit tim. Një ndeshje për t’u harruar.”

 

Trajneri i Tërbunit, Luigi Gargano: Nuk fituam lehtë 

Trajneri i Tërbunit, Luigi Gargano, flet sikur nuk ndodhi asgjë në ndeshjen me Bylis. “Ti mendon se fituam një ndeshje të lehtë, unë nuk e mendoj kështu. Nuk kam parë asnjëherë një skuadër të humbasë 6 raste për gol në kaq pak minuta, por ky është futbolli.”  Ndeshja mes Tërbunit dhe Bylisit, pritet tashmë të merret nën shqyrtim nga Komisioni Etikës, që do të thotë fjalën e fundit mbi vërtetësinë e këtij takimi.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?