Jemi Një! Kosovë-Shqipëri, gati për një miqësore në qershor
Kosova dhe Shqipëria, për herë të parë, do të luajnë një miqësore si dy shtete të ndara nga njëra-tjetra. Shqipëria ka luajtur edhe më parë miqësore me Kosovën, por kjo e fundit nuk njihej as në UEFA dhe as nga FIFA. Pas krijimit të shtetit të pavarur, Kosovës i është dhënë leje të zhvillojë vetëm miqësore nga FIFA, dhe dy shtete të të njëjtit komb, atij shqiptar, po planifikojnë të përballen në muajin qershor. Lajmi konfirmohet nga Federata e Futbollit të Kosovës, sipas të cilave, ka mbetur vetëm data që të përcaktohet, se kur do të luhet kjo ndeshje. Takimi miqësor pritet të luhet në Kosovë dhe interesant do të jetë fakti i përdorimit të simboleve kombëtare. Vështirë se flamuri zyrtar i Kosovës do të triumfojë ndaj atij kuqezi dhe shqiponjës dykrenore. Po ashtu edhe momenti, kur të këndohet himni kombëtar. Kujtojmë se Ushtria Nacional Çlirimtare e Kosovës përdori simbolet kombëtare, në çlirimin e trojeve shqipfolëse nga regjimi i Beogradit. Sakaq, ekipi i Gianni de Biasit ka një mbështetje të fuqishme nga grupet e tifozëve nga Kosova. Gjysma e kombëtares shqiptare përbëhet nga lojtarë me origjinë nga Kosova. Prandaj e vështirë do të jetë, që në qershor, tifozët Kuqezi, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, e Diasporë, që e ndjekin kombëtaren kudo, të mos triumfojnë me moton e tyre, “Jemi Një!”, apo “Një Komb, Një Kombëtare!”. Gjithsesi, nën-kryetari i FFK-së, Agim Ademi, tha se gjasat janë që të luhet në qershor ky takim, para se kuqezinjtë e Gianni de Biasit të përballen me Francën, në një miqësore që është planifikuar në atë kohë.
KOHA JONË SONDAZH

