Jep dorëheqjen këshilltari kryesor i Infantinos, kundërshtoi projektin e FIFA-s për kapital privat në Botëror
Carlos Cordeiro ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij si “senior advisor” i presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, duke u larguar nga një prej roleve më të afërta pranë drejtuesit të futbollit botëror.
Sipas raportimeve, arsyeja kryesore e largimit të tij lidhet me kundërshtimet e forta nga UEFA dhe konfederata të tjera, përfshirë atë aziatike, ndaj projektit të ri të FIFA-s për përfshirjen e kapitalit privat në menaxhimin komercial të Kupës së Botës.
Cordeiro, 70 vjeç, ish-president i Federatës së Futbollit të Shteteve të Bashkuara deri në vitin 2020 dhe ish-bankier në Goldman Sachs, ka qenë një nga figurat e përfshira në përgatitjet amerikane për organizimin e Botërorit 2026, si pjesë e Task Force të Shtëpisë së Bardhë.
Në një reagim të publikuar në rrjetin profesional LinkedIn, Cordeiro sqaroi qëndrimin e tij ndaj projektit të FIFA-s dhe u distancua plotësisht nga ideja.
“Duhet të jetë e qartë: nuk kam pasur asnjë rol në këtë propozim dhe e kundërshtoj kategorikisht”, shkroi ai.
Ish-këshilltari i Infantinos deklaroi se vendimi për t’u larguar erdhi për shkak të bindjes së tij se hyrja e kapitalit privat në një kompani që do të menaxhonte të drejtat komerciale të Kupës së Botës do të ishte e dëmshme për futbollin.
“Ky projekt është i keq për federatat anëtare të FIFA-s, i keq për futbollin dhe i keq për të ardhmen afatgjatë të këtij sporti”, u shpreh Cordeiro.
Dorëheqja e tij vjen në një moment kur FIFA po përballet me presion të madh për planin e saj të ri financiar, i cili parashikon krijimin e një strukture të veçantë tregtare ku do të përfshihen edhe investitorë privatë. UEFA dhe kundërshtarë të tjerë kanë shprehur shqetësimin se ky model mund të ndryshojë mënyrën e menaxhimit të kompeticioneve më të rëndësishme të futbollit botëror.
KOHA JONË SONDAZH
Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?
Results
Vota totale: 19180

