
Joao Pedro është kthyer në një nga protagonistët kryesorë të Botërorit të Klubeve, duke shënuar tre gola në pak më shumë se dy ndeshje dhe duke ndihmuar Chelsea-n të fitojë trofeun. Sulmuesi brazilian iu bashkua londinezëve në fazën mes 1/8-ave dhe çerekfinaleve të turneut, pas një transferimi nga Brighton për 70 milionë euro.
Në finalen e zhvilluar në SHBA, Joao Pedro jo vetëm që la gjurmë me paraqitjen e tij në fushë, por u përfshi edhe në një përplasje të tensionuar në fund të ndeshjes. Duke folur për mediat braziliane, ai shpjegoi çfarë ndodhi:“Ndeshja po i afrohej fundit dhe ata nisën me provokime, gjë normale. Vetëm sepse kanë fituar Championsin – e kuptojmë, e kanë merituar, i përgëzojmë. Por sot ishte një tjetër ndeshje, dhe fituam ne. Duhej ta pranonin, nuk duhej të provokonin.”
Sulmuesi shtoi më tej detaje nga momenti i tensionit: “Pashë që po rrethonin Andrey-n dhe si një brazilian i mirë, shkova ta mbroja. Në atë moment, Luis Enrique më shtyu dhe unë rashë. Ata nuk dinë të humbasin.”
