Ju kujtohet Beogradi, Roma!…por Kukësin do ta ndëshkojë UEFA?! (Foto)
Ndeshja e vlefshme për Europa league, që u ndërpre në stadiumin “Qemal Stafa” mes Kukësit dhe Leagias së Varshavës mund të peshojë shumë për të ardhmen e skuadrës nën-kampione të Shqipërisë. Pas tre vitesh investimesh, duke e ngritur në këto nivele dhe pas ngjarjeve të fundit duket se është dorëzuar dhe presidenti Safet Gjici, i cili nëse vendimet do të jenë të ashpra ka paralajmëruar largimin nga Kukësi. Vendimi nga UEFA do të merret të hënën. Dhe pritet të jetë vërtet i ashpër.
Sllovaku Ondrej Duda, mbrojtësi i Legia Varshavës u qëllua në kokë nga një objekt i fortë i hedhur nga një tifoz i Kukësit gjatë ndeshjes, në 52’, kur polakët sapo shënuan golin e dytë, 1-2. Kaq mjaftoi dhe gjyqtari ndërpreu ndeshjen. Polakët nuk pranuan më tej të vijonte loja, për shkaqe sigurie, dhe gjyqtari e delegati i UEFA-s, duket se ishin në një mëndje. Nuk sigurohej jeta e lojtarëve.
Kësisoj, Kukësi për fat të keq pritet do të ndëshkohet rëndë të hënën nga UEFA, përveçse do ta humbë ndeshjen 0-3 në tavolinë. UEFA do të zbatojë rregulloren, sepse ndeshja u ndërpre pa përfunduar. Por ndryshe nga ndërprerja e ndeshjes në Beograd, mes kombëtareve të Serbisë dhe Shqipërisë, UEFA nuk do të marrë parasysh faktin se polakët nuk pranuan të rikthehen në fushë apo se autori i golit provokoi tifozët kur shënoi golin e dytë, me tre gishtat lart.
Kukësi është një skuadër jo shumë e njohur ndërkombëtarisht dhe prandaj UEFA i ka ngritur edhe një akuzë, përveç përgjegjësisë për ndërprerjen e ndeshjes e sjelljen e tifozëve, atë për një baner të paligjshëm ku shkruhej se “ne jemi shqiptarë, jo sllavë”. Po ç’jemi ne në të vërtetë!?
Pse UEFA-s nuk i bëri përshtypje djegja e flamurit të NATO-s në stadiumin e Beogradit, apo thirrjet e 40 mijë tifozëve në kor “Vriteni Shqiptarët”, e “Kosova është Serbi”. Po ashtu futja e huliganëve serbë në fushë dhe ndihma që iu dhanë forcat e sigurisë për të dhunuar lojtarët kuqezi. Para këtij skandali UEFA mbylli sytë. A nuk ishte UEFA që ia dha fitoren 3-0 në tavolinë Serbisë. Dhe e dënoi me 100 mijë euro gjobë ashtu si Shqipërinë që ishte mysfaire dhe pa tifozë në Beograd, duke akuzuar ekipin tonë se nuk pranoi të kthehej në fushë dhe se ngriti një flamur të paligjshëm.
Dhe nëse heqim një paralele me një ndeshje tjetër të Europa League sezonin e kaluar, kuptohet që Kukësi ra “viktimë” si një skuadër shqiptare e një vendi të vogël në Europë dhe gjithashtu pa eksperiencë ndërkombëtare.
Një vit më parë, nëse rikthejmë pamjet e ndeshjes së sezonit të kaluar në Europa League, të përleshjeve mes tifozëve holandezë të Fejnordit me tifozë të Romës dhe policinë, në mes të Romës, tempulli i qytetërimit botëror, duket sikur nuk ka ndodhur asgjë me incidentet e fundit të Kukësit. Roma u përgjak atë mbrëmje. Policia arrestoi 32 huliganë holandezë dhe dëboi me qindra të tjerë, probleme pati edhe në fushë, teksa ndeshja prej tensionit u ndërpre por rifilloi prapë disa herë, me insistimin e UEFA-s. Dhe rezultati 1-1 në fund, por UEFA i kaloi ngjarjet me një “përkëdheli” e gjoba të lehta për klubet. Edhe ndeshja në Roterdam pati tensione dhe probleme sërish në stadium e në fushë dhe madje të dënueshme, por UEFA i kaloi si pa “u vënë re”.
Ne, pra, jemi shqiptarë. E pranojmë se është bërë një gabim dhe madje mediat shqiptare (ndryshe nga rastet e sipër-përmendura) e dënuan rëndë atë dhe sjelljen e tifozëve sidomos kur u godit një lojtar në fushë me një objekt të fortë dhe ndeshja u ndërpre, pa përfunduar. Tani le të presim të qetë ndëshkimin e Kukësit nga UEFA, ndonëse një incident i vetë sporadik i një apo dy tifozëve të papërgjegjshëm hodhën në “erë” gjithçka u ndërtua për tre vjet. Mund të quhet kështu e shuar ëndrra e një ekipi që ishte ndërtuar me punë, djersë dhe me meritë, apo suksesi i arritur deri tani nga kjo skuadër. Dhe po ashtu ëndrra e një qyteti sportdashës për të parë ekipin e tyre në fazën e grupeve të Europa League, duke qenë shumë pranë një sezon më parë.
Aranit Muraçi
KOHA JONË SONDAZH

