Juventus fiton me “poker” në Hungari me një super Morata, Barcelona nuk gabon (VIDEO)
Juventus është rikthyer në rrugën e fitoreve në Champions League. Bardhezinjtë morën një fitore të thjeshtë 4-1 në Hungari ndaj Ferencvaros. Ishte një mbrëmje magjike për Alvaro Moratën, i cili shënoi dy gola dhe ishte më i miri në 60 minuta që qëndroi në fushë. Sulmuesi spanjoll zhbllokoi rezultatin në minutën e 7-të, ndërkohë që në fundin e fraksionit të parë shërbeu për Ronaldon një super asist, që nuk u shfrytëzua nga portugezi.
Në fraksionin e dytë, Morata realizoi një gol shumë të bukur me një goditje në hyrje të zonës. Më pas do të ishte radha e Dybalas që u fut në fushë si zëvendësues, por do të realizonte një gol dhe detyroi Dvali të shënonte autogol. Në fundin e kohë së rregullt, Boli shënoi golin e nderit, ndërkohë që Boli i dhuroi asistin teksa hyri në fushë në minutat e fundit.
Në grupin e bardhezinjve Barcelona fitoi me vështirësi 2-1 ndaj Dinamo Kiev dhe mban kreun e grupit me 9 pikë. Messi zhbllokoi rezultatin me penallti, Pique dyfishoi në fraksionin e dytë, ndërkohë që goli i Tsygankov nuk i shërbeu shumë Dinamo Kievit. Surpriza e mbrëmjes ishte fitorja e Leipzig 2-1 ndaj PSG, që tashmë rrezikon shumë çështjen e kualifikimit. Dortmundi triumfoi me lehtësi 3-0 ndaj Brugge, me Haaland që gjeti dy herë rrugën e rrjetës. /R.Lika-Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

