Juventus fiton miqësoren ndaj Palermos, shënon edhe kapiteni Yildiz
Juventusi i Luciano Spallettit fitoi ndeshjen ndaj Palermos së Filippo Inzaghit, në sifrat 2-0 në Perth. Bardhezinjtë zhvilluan një paraqitje bindëse në të dyja fazat e lojës dhe arritën të siguronin fitoren falë golave të Kenan Yildiz dhe Arkadiusz Milik.
Yildiz, i cili në këtë takim mbajti edhe shiritin e kapitenit, ishte ai që zhbllokoi sfidën, ndërsa Milik realizoi golin e dytë për të vulosur suksesin e skuadrës së Spallettit. Në një ndeshje ku Juventusi tregoi ekuilibër dhe organizim të mirë, disa lojtarë spikatën me paraqitjet e tyre.
Francisco Conceição dhe Zeki Çelik zhvilluan një ndeshje shumë pozitive, ndërsa një meritë të veçantë pati edhe portieri Mattia Perin. Në minutat shtesë, Perin bëri një pritje spektakolare, duke i mohuar Palermos golin e ngushtimit të rezultatit. Portieri bardhezi ndali Le Douaron, i cili ishte shumë pranë realizimit në zonën e rreptësisë.
Një nga lojtarët që nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës ishte Randal Kolo Muani. Sulmuesi francez pati dy mundësi shumë të pastra për të shënuar, por nuk arriti t’i konkretizonte.
Megjithatë, paraqitja e tij nuk ishte negative. Kolo Muani u dallua për punën në fazën mbrojtëse, sakrificën dhe angazhimin në ndihmë të skuadrës. Në fund, Juventusi mori një fitore 2-0 që i jep Spallettit sinjale pozitive, ndërsa skuadra vazhdon përgatitjet dhe kërkon të ndërtojë formën më të mirë për sezonin e ri.
KOHA JONË SONDAZH

